Gazetarja dhe eksperte e komunikimit Eva Kushova, me mbi 27 vite përvojë profesionale, ishte e ftuara e radhës në emisionin “Diagnozë” në Impakt Shëndet, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, në A2CNN. Drejtoreshë e DMO Albania, themeluese e platformës “Vizit Tirana” dhe bashkëthemeluese e “Vizit Gjirokastër”, Kushova foli për lidhjen mes udhëtimit, trashëgimisë kulturore e turizmit të qëndrueshëm, dhe ndikimin e tyre në mirëqenien tonë fizike, emocionale e sociale.
Nga gazetaria te storytelling i turizmit
Kushova tregoi se kalimi drejt turizmit ka qenë një vazhdimësi natyrale e karrierës së saj në gazetari. Sipas saj, promovimi i destinacioneve mbetet në thelb i njëjti proces: krijim kontenti dhe tregim historish. Ajo përmendi platformat “Vizit Tirana” dhe “Vizit Gjirokastër” si projekte ku historia e destinacioneve u shkrua “nga e para”, duke i sjellë ato në një formë tërheqëse për vizitorët.
Bukuria dhe braktisja e Shqipërisë rurale
Duke udhëtuar në thellësi të vendit, gazetarja thotë se ka parë një Shqipëri “aq më të bukur sa më e paprekur”, por edhe të trishtueshme për shkak të braktisjes së fshatrave. Sipas saj, pa banorë vendas, promovimi turistik i një zone bëhet i vështirë, ndërsa mikpritja shqiptare mbetet më e ruajtur në zonat rurale, ndryshe nga bregdeti, ku, sipas saj, prioritet ka marrë fitimi ekonomik.
“Duhet rishkruar historia jonë”
Një nga pikat kryesore të bisedës ishte trashëgimia antike e vendit. Kushova theksoi se Shqipëria ka një pasuri të pashfrytëzuar në sajtet arkeologjike, të cilat, sipas saj, nuk tregohen ashtu siç duhet për vizitorët. Ajo kërkoi një “revolucion në turizmin kulturor”, me sinjalistikë dhe interpretim më të mirë të gurëve e mbishkrimeve historike, duke marrë shembull nga vendet fqinje si Greqia dhe Italia.
Sfidat: infrastrukturë, siguri ushqimore, muze të mbyllura
Përtej storytelling-ut, Kushova evidentoi disa sfida kryesore për turizmin shqiptar:
• Infrastrukturë e pamjaftueshme, mungesë linjash autobusi drejt fshatrave dhe trafik i rënduar në sezon.
• Siguria ushqimore dhe promovimi i produkteve vendase si pjesë e zinxhirit të turizmit të qëndrueshëm.
• Muzeu Historik Kombëtar i mbyllur në Tiranë, çka ajo e quajti “të pafalshme”, duke sugjeruar hapje graduale me pavione.
Projekti “Heritage is Our Brand”
Kushova prezantoi projektin e saj “Heritage is Our Brand”, i cili synon të krijojë e të tregojë historitë e trashëgimisë shqiptare në një formë të kapshme për turistët, si historia e Mbretëreshës Teuta, e Mbretit Gent apo e Kepit të Rodonit. Projekti përfshin 40 histori, të hartuara në bashkëpunim me akademikë, dhe planifikon integrimin e tyre me kode QR në terren. Ajo përmendi gjithashtu filma të animuar me inteligjencë artificiale në përgatitje e sipër, mbi Kodikët e Beratit dhe gjamën e burrave.
“Green Tirana” dhe turizmi rural
Në kuadër të projektit “Green Tirana”, Kushova foli për potencialin e pashfrytëzuar të Tiranës rurale, me male, kanione dhe mbi dhjetë liqene përveç liqenit artificial, si dhe për një model turizmi edukativ, ku vizitorët mësojnë të mbrojnë natyrën, duke mbledhur mbeturinat me vete në mungesë të infrastrukturës përkatëse.
Në fund të bisedës, Kushova u vlerësua me një Gift Card, për një shërbim shëndetësor nga Klinika “Vera - Virhov”, sponsor në emisionin “Diagnozë”.
Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)