Ka mbrëmje kur Tirana duket sikur është futur në një nga romanet e tij. Qielli i ulët, dritat e vakëta, njerëzit që ecin me mendimet e tyre të mbyllura, si personazhe që mbajnë mbi supe një sekret shteti apo një mallkim të vjetër. Dhe pikërisht në ato çaste e ndiej më fort mungesën e Kadaresë. Sepse ai nuk ishte vetëm shkrimtari ynë. Ishte kronikani i ankthit shqiptar.
Kam ruajtur gjatë në kujtesë intervistën e fundit me të. Jo si gazetare. Por si njeri. Ishte ajo ndjesia e rrallë që ke përballë dikë që e ka kaluar jetën duke biseduar me historinë. Fliste qetë, pothuaj me kursim, sikur e dinte se fjalët, po të përdoren tepër, humbasin peshën e tyre. Dhe megjithatë, pas çdo fraze mbetej pezull diçka më e madhe se vetë fjala.
Tek ai kishte gjithmonë një dimër. Një dimër ballkanik, i vjetër, me mjegull, kambana të largëta dhe heshtje gurësh. Por në atë dimër digjej vazhdimisht një zjarr i brendshëm: letërsia.
Ndoshta shkrimtarët si Kadareja nuk ikin kurrë në mënyrën e zakonshme. Ata shpërndahen. Bëhen pjesë e qyteteve, e gjuhës, e kujtesës së njerëzve. Një fjali e tyre të ndjek papritur në rrugë. Një personazh të del përpara në jetën reale. Një kambanë e largët të kujton një roman. Dhe kupton se ai vazhdon të jetojë aty ku pak njerëz arrijnë të mbeten: në nënvetëdijen e një kombi.
Dy vjet pa të.
Dhe ende duket sikur, diku në një apartament të heshtur, pranë një tavoline pune, Ismail Kadare vazhdon të shkruajë natën shqiptare, një ditë tjetër dimri në net të nxehta revoltash apo të ndërtojnë një pallat ëndrrash.
Kam menduar shpesh këto ditë për intervistën tonë të fundit. Për atë qetësi të rrallë që kishte në të folur. Për mënyrën si i zgjidhte fjalët, sikur edhe heshtjen e kishte pjesë të ligjërimit. Dhe sa paradoksale duket sot që njeriu që shkroi aq shumë për kohën, historinë, frikën, kujtesën dhe vetminë… tashmë vetë është kthyer në kujtesë.
Nuk e di nëse ne që e kemi takuar nga afër kemi qenë vërtet të vetëdijshëm për peshën e atyre çasteve. Ndoshta jo. Ndoshta madhështia e disa njerëzve kuptohet plotësisht vetëm pasi ikin. Vetëm atëherë e kupton se kishe përballë jo thjesht një shkrimtar, por një epokë të tërë që fliste me zë të ulët.
Më kujtohet vështrimi i tij i kthjellët. Ai lloj trishtimi fisnik që e mbartin njerëzit që kanë parë shumë nga kjo botë. Dhe mbi të gjitha, ajo ndjesia e pazakontë se përballë kishe dikë që i kishte mbijetuar kohës, sistemeve, heshtjeve, censurës, lavdisë dhe vetmisë, pa humbur thelbin.
Sot, dy vite më pas, Kadareja ka atë fatin e rrallë të njerëzve që nuk vdesin plotësisht. Sepse ai jeton ende në fjalët që rikthejmë, në faqet që hapim rastësisht netëve të vona, në qytetet që i shohim ndryshe falë tij, në krenarinë që ndjemë sa herë bota shqiptonte emrin e tij bashkë me emrin tonë. (A2 Televizion)