Streptokoku, “lëpin kockën dhe kafshon zemrën”: Pediatrja paralajmëron prindërit për rrezikun tek fëmijët

Nga A2 CNN
4 Korrik 2026, 19:55 | Sociale

Ndërsa virozat sezonale mbeten shqetësimi më i shpeshtë i prindërve gjatë muajve të ftohtë, ka një mikrob që mjekët e konsiderojnë veçanërisht të rrezikshëm nëse nuk trajtohet në kohë: streptokoku. Për pasojat e tij tek fëmijët, si dhe për dallimin mes një viroze të thjeshtë dhe një infeksioni bakterial, ka folur në emisionin “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti në A2CNN, pediatrja Teuta Neli, nga klinika “Vera - Virhov”.

Çfarë është streptokoku dhe pse është i rrezikshëm

Sipas mjekes, streptokoku është një mikrob që qëndron normalisht në orofaring, por që në raste të veçanta bëhet agresiv, sidomos tek fëmijët që frekuentojnë çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Ai mund të shkaktojë tonsilite (anginë), faringite, laringite, por edhe skarlatinë apo erizipel në lëkurë.

Rreziku më i madh, thekson dr. Neli, shfaqet kur infeksioni nuk mjekohet siç duhet dhe për kohën e nevojshme. Në ato raste, streptokoku mund të prekë nyjet e kockave duke shkaktuar ethe reumatizmale, të dëmtojë klapat e zemrës apo edhe veshkat, duke çuar në glomerulonefrit.

“Streptoku lëpin kockën dhe kafshon zemrën”, – thekson pediatrja, duke theksuar rëndësinë e mjekimit të plotë e në kohë.

Si e njohim: simptomat te fëmijët

Mjekja shpjegon se fëmija zakonisht paraqitet me temperaturë, skuqje të lehtë të fytit, vështirësi në gëlltitje dhe ndonjëherë kollë të thatë për shkak të thatësisë së fytit. Fëmijët më të rritur mund ta lokalizojnë vetë dhimbjen, ndërsa te ata më të vegjël prindërit duhet t’i kushtojnë vëmendje çdo shenje të re që nuk e kishin më parë – siç është ankesa për dhimbje kockash apo refuzimi për të mbështetur këmbën në mëngjes.

Sinjalet alarmante që kërkojnë vlerësim urgjent mjekësor, sipas saj, janë: temperaturë shumë e lartë e shoqëruar me dridhje (frisone), fëmijë i përgjumur që nuk reagon normalisht, si dhe çdo shenjë e re që tregon përfshirje të mundshme të sistemit nervor, të kockave apo të zemrës.

Si diagnostikohet?

Për të bërë dallimin mes një viroze të thjeshtë dhe një infeksioni bakterial, mjekët kryejnë një test të shpejtë (rapid test) të fytit. Nëse rezultati është pozitiv, fillon menjëherë mjekimi me antibiotikë. Në rastet kur testi i shpejtë del negativ por dyshimi klinik vazhdon, rekomandohet kultura e fytit, e cila kryhet në gjendje esëll në mëngjes dhe jep rezultat brenda 24–48 orësh. Krahas kësaj, analizat e gjakut si hemograma, proteina reaktive dhe antistreptolizina ndihmojnë në vlerësimin e infeksionit.

Trajtimi dhe rëndësia e kohëzgjatjes

Mjekimi bëhet me antibiotik dhe duhet të zgjasë 7 deri në 10 ditë, në varësi të gjendjes së fëmijës dhe rezultateve laboratorike. Pas përfundimit të terapisë kryhen vizita kontrolli për të ndjekur ecurinë.
Dr. Neli këshillon prindërit të mos e neglizhojnë trajtimin dhe të mos kërkojnë zgjidhje “nëpërmjet internetit apo shoqërisë”, pasi ndërprerja e parakohshme e antibiotikut rrit rrezikun për komplikacione.

Këshilla për prindërit

Për të ulur rrezikun e përsëritjes së infeksioneve, pediatrja rekomandon:
• Higjienë të mirë orale (dhëmbët e prishur janë burim infeksioni).
• Pastrim të rregullt të hundës
• Mbajtje nën kontroll të temperaturës në shtëpi me antipiretikë si paracetamoli, të shoqëruar patjetër me vizitë mjekësore.
• Ekspozim social të kontrolluar të fëmijës (çerdhe, kopshte), pasi kontakti me mikrobet ndihmon në forcimin natyral të imunitetit.

Për temperaturat deri në 38°C, menaxhimi mund të bëhet në shtëpi, por çdo përkeqësim i gjendjes së përgjithshme apo shfaqje e një shenje të re duhet vlerësuar menjëherë nga pediatri, pasi, siç thekson mjekja, streptokoku “nuk është i lokalizuar vetëm te fyti”.

Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos