Studimi për vaksinën e HPV, Anglia shënon zero vdekje nga kanceri, Shqipëria i pret pas dy dekadash

Nga Ornela Joti
3 Korrik 2026, 15:09 | Sociale

Vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës, apo thënë ndryshe kundër papiloma virusit po jep rezultatet e para në shtetet që kanë nisur të aplikojnë prej vitesh. Sipas një studimi të fundit i botuar në prestigjiozen “Lancet”, Anglia ka reduktuar 100% vdekje te gratë e moshës 20 deri 24 vjeç, shkruan A2 CNN.

Studiuesit vlerësuan se vaksinimi kundër LPV-së ka shpëtuar 200 jetë grash. Të dhënat konfirmojnë mbrojtje të fortë dhe afatgjatë kundër infeksioneve të papiloma virusit dhe ndryshimeve qelizore para kanceroze. Për vendin tonë kjo është një vaksinë e re dhe si e tillë nuk ka munguar skepticizmi dhe hezitimi për aplikimin, veçanërisht te djemtë.

“Mbi 25% e meshkujve janë vaksinuar ndaj HPV-së. Vaksina aplikohet me një dozë në moshën 13 vjeç bashkë me vaksinën ndaj tetanoz-difterisë. Është një vaksinë e detyruar brenda kalendarit të vaksinimit. Jo vetëm që ka qenë pranueshmëria shumë e mirë, por madje edhe djemtë më të rritur mbi 14 15 vjeç kanë filluar të kenë kërkesa për t'u vaksinuar. Për momentin e vaksinojnë vetëm djem 13 vjeç, ndërsa për djem që janë më të rritur ndoshta në një moment mund të zhvillojnë fushatë siç kemi zhvilluar dhe me vajzat 14-20 vjeç”, thotë për A2 CNN, Rovena Daja, specialiste në Institutin e Shëndetit Publik.

Referuar studimeve shkencore dhe rezultateve që po marrin shtetet që e kanë aplikuar prej vitesh vaksinën e EPV-së, ekspertët e shëndetit publik në vendin tonë theksojnë rëndësinë e marrjes së kësaj vaksine tek vajza dhe djemtë 13-vjeçarë.

“HPV-ja shkakton kancer te meshkujt të laringsit apo të anusit apo shumë lloj kanceresh të tjerë dhe aplikimi i kësaj vaksine në këtë moshë i mbron pikërisht nga disa lloje. Pra është një investim për të ardhmen e djemve dhe të vajzave”, thotë Daja.

Kanceri i qafës së mitrës renditet si kanceri i dytë mishesh te gratë pas atij të gjirit. Në vendin tonë zbulohen 130 raste të reja në vit ku 1/3 e tyre përfundojnë me humbje jete për shkak të zbulimit të vonë. Ndërsa vaksina që mbron nga ky kancer ka filluar të aplikohet tek vajza 13-vjeçare në vitin 2022, ndërsa te djemtë në janar të 2026-ës. Rezultatet që sot po marrin shtetet e tjera Shqipëria i pret pas dy dekadash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos