SPAK kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin me burg për të bashkëpandehurit e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të cilët u gjykuan të veçuar prej tyre në një proces me kohe të shkurtuar, por asnjë nga të tre nuk rrezikon të shkojë në qelitë e burgut.
Dënimi më i ashpër, me 7 vjet e 6 muaj burg, u kërkua për Fatime Kryemadhin, të ëmën e ish-deputetes Monika Kryemadhi, për “pastrim të parave”. Për të njëjtën vepër penale, u kërkuan 7 vite burg për të pandehurën Ema Çoku, ndërsa për Pirro Xhixhon, i akuzuar për “korrupsion”, u kërkuan 4 vite e 6 muaj burg. Tre tre përfituan uljen e një të tretës nga gjykimi i shkurtuar, por përfundimisht SPAK kërkoi konvertim të dënimit në Shërbim Prove.
Sipas SPAK, Fatime Kryemadhi ka pastruar para, duke paguar me para cash në bankë këstet e dy kredive, gati 300 mijë euro, të marra nga e bija, Monika Kryemadhi, për blerjen e një banese. “Qëllimi ka qenë futja në sistemin bankar të parave me origjinë korruptive”, tha prokurori. Disa kontrata noteriale huaje nuk kishin bindur prokurorët, për shkak se ishin përpiluar pasi Kryemadhi dha deklarime në SPAK.
Një nga konrtatat për 240 mijë euro hua, e dyshuar si fiktive, ishte firmosur nga e pandehura Ema Çoku, lidhje e ngushtë miqësore e Monika Kryemadhit. Sipas SPAK, Çoku nuk ka pasur mundësi financiare, ndërsa rezulton se ka paguar fatura hoteli për disa shtetas të huaj të ardhur në Tiranë për llogari të LSI, si edhe për evente të ndryshme të LRI.
“Fatime Kryemadhi ka konsumuar veprën penale të ‘pastrimit të produkteve të veprës penale’ në bashkëpunim me Ema Çokun dhe Ilir Metën e Monika Kryemadhin”, thuhej në pretencë.
Sipas SPAK, Ilir Meta e Monika Kryemadnhi kiushin përdorur pushtetin e tyre politik, për të ndikuar tek i pandehuri Pirro Xhixho, ish-kreu i AKEP, për lidhjen e një kontate interkonjeksioni mes një kompanie, ku kishte aksione Adrian Shatku dhe një kompanie telefonike celulare.
“I pandehuri Xhixho ka favorizuar korrupsionin e bërë dhe përfituar nga Ilir Meta e Monika Kruemadhi”, konkludonte SPAK. Seanca e radhës, ku do të dëgjohet mbrojtja e të pandehurve do të mbahet më 27 korrik. (A2 Televizion)