
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka reaguar përmes një letre publike ndaj një shkrese anonime që, sipas tij, i është drejtuar nga një “anëtar pa emër” i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë (LHSH).
Në reagimin e tij, Balla mohon kategorikisht çdo pretendim se ka ndërhyrë në çështjet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë apo se ka kërkuar shkarkimin, largimin ose ndëshkimin e ndonjë hoxheje, myftiu apo kleriku fetar.
“Deklaroj në mënyrën më kategorike se nuk kam ndërhyrë kurrë dhe nuk kam kërkuar kurrë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shkarkimin, largimin apo ndëshkimin e asnjë hoxhe, myftiu apo kleriku fetar. Ky pretendim është i pavërtetë”, shprehet Balla.
Ai u kërkon autorëve të letrës që të bëjnë publike çdo provë që mbështet akuzat e ngritura ndaj tij, ose në të kundërt t’i tërheqin ato. Balla kritikon gjithashtu gjuhën që, sipas tij, përdoret në letër, duke theksuar se referencat për ndëshkime fetare nuk i shërbejnë dialogut qytetar dhe as vetë besimit.
Në reagimin e tij, ai nënvizon se politika dhe feja duhet të mbeten të ndara dhe se ka respektuar gjithmonë autonominë e institucioneve fetare dhe lirinë e besimit në vend.
“Anonimati nuk është guxim qytetar; është mënyra më e lehtë për të hedhur baltë pa mbajtur përgjegjësi. Kush beson se po mbron të vërtetën nuk ka arsye të fshihet pas anonimatit”, shkruan ai.
Në përfundim, Balla kërkon që autorët e letrës ose të paraqesin prova për akuzat e tyre, ose të përballen me përgjegjësinë për shpifje, duke ritheksuar se Shqipëria është një vend ku liria e besimit është e garantuar dhe ku shteti nuk ndërhyn në jetën e komuniteteve fetare.
"Prandaj, zgjedhja është e thjeshtë: Ose paraqisni provat për akuzën që keni ngritur, ose përballuni me pasqyrën tuaj si një shpifës. Ky nuk është vetëm një detyrim ndaj së vërtetës, po dhe ndaj vetë parimeve fetare që ju i thërrisni në ndihmë. Shqipëria është një vend ku liria e besimit është e shenjtë dhe ku shteti nuk ndërhyn në jetën e komuniteteve fetare. Kjo ka qenë dhe mbetet edhe bindja ime, dhe do të vazhdojë të jetë, pavarësisht çdo përpjekjeje për ta helmuar debatin publik me akuza anonime e të pabazuara".
(A2 Televizion)