Demokratët kërkojnë nga SPAK të hetojnë Kryeministrin Rama dhe ministrin e Turizmit, Blendi Gonxhja, lidhur me financimin prej 4.2 milionë Eurosh, për koncertin e reperit Kanye West. Në padi PD ngre dy akuza. Të parën, për shpërdorim detyre, e shpjegojnë me përdorimin e fondit rezervë, që nevojitet vetëm për ngjarje të paparashikuara emergjence.
Është e qartë se shtetasi Edi Rama, me detyrë Kryeministër i Shqipërisë, dhe shtetasi Blendi Gonxhja, me detyrë Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin sa i përket shfrytëzimit të fondit rezervë për të mbështetur një aktivitet muzikor privat, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, e në këtë kuptim veprimet e tyre përmbushin elementin e anës objektive të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Akuza e dytë lidhet me shkeljen e barazisë në tendera, pasi sipas PD një subjekt privat është favorizuar në të kurriz të operatorëve të tjerë të sektorit.
Nga ana tjetër, të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shkelur rregullat sa i përket lirisë së pjesëmarrjes dhe realizimit të barazisë së shtetasve në tendera publik, me qëllim krijimin e avantazheve dhe privilegjeve të padrejta për një operatori ekonomik të caktuar, duke përmbushur kështu elementin e anës objektive të veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar neni 258 i Kodit Penal. Në këto kushte PD kërkon nga SPAK nisjen e procedimit penal dhe dërgimin sa më shpejt të çështjes për gjykim. (A2 Televizion)