Ngjarja tragjike në Lozhan, nëna e Violand Braçellarit thyen heshtjen: Polici qëlloi i pari, djali im nuk u paralajmërua

Nga Artin Halili
7 Qershor 2026, 10:54 | Aktualitet

Ngjarja tragjike në Lozhan, nëna e Violand Braçellarit thyen

Për herë të parë pas ngjarjes së rëndë mëngjesin e 4 qershorit në Lozhan të Maliqit, ku u vra efektivi i policisë, Enea Mekolli, dhe u plagos kolegu i tij, Edison Adri, nëna e Violand Braçellarit, ka thyer heshtjen dhe ka treguar versionin e saj. Në një intervistë për A2 CNN Berdane Braçellari, e cila thotë se ishte e pranishme në momentin e ngjarjes, deklaroi se sipas saj polici ka qëlluar i pari, ndërsa pretendoi se efektivët nuk janë identifikuar dhe nuk kanë bërë thirrje për dorëzim.

Ajo tregoi se djali i saj prej vitesh jetonte i fshehur në mal dhe se rrallëherë shkonte në banesën e familjes. Sipas saj, ai kishte refuzuar të dorëzohej për shkak të dënimit që konsideronte të padrejtë lidhur me një çështje narkotikësh.

Nëna e Braçellarit mohoi që djali i saj të kishte kultivuar lëndë narkotike apo të kishte bashkëpunuar me policinë, duke i cilësuar këto pretendime të pavërteta.

E pyetur për vrasjen e efektivit, ajo shprehu keqardhje për familjen e viktimës.

“Më vjen shumë keq. Zëre sikur më ka vdekur djali im. Më dhimbset ai djalë dhe familja e tij”, u shpreh ajo.

Braçellari tha gjithashtu se nuk kishte dijeni që djali i saj mbante armë dhe se kishte tentuar disa herë ta bindte të dorëzohej, por ai kishte refuzuar.

Ngjarja e 4 qershorit në Lozhan tronditi opinionin publik, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të përplasjes mes policisë dhe autorit të dyshuar vijojnë.

Intervista e plotë për A2 CNN

Berdane Braçellari: Kam qenë që në fillim, hyra në stallë si gjithmonë, në krahun matanë hyra vet, në anën tjetër hyn djali. Djali asnjëherë nuk më futej në punë, thjesht me ikën dy punëtorë dhe erdhi. Kisha një parandjenjë se përherë kemi qenë duke u mbrojtur për shkak të policisë. Erdhi policia, i thashë; "Djalë, erdhën". Djali qenka hedhur dritarja e vicave, aty ishte polici. Del lart djali, i bie polici.

Pyetje - Ju thoni se djali juaj nuk qëlloi i pari mbi policinë?

Berdane Braçellari: Polici i ra me parë, pastaj qëlloi djali im. Policia nuk tha as dorezohuni, as që ishin polic. Violandi ishte fshehur në cep dhe kaloi lart"

Pyetje - Sa kohë kishte Violandi që rrinte me ju?

Berdane Braçellari: Violandi me mua jo se rrinte, ishte I dënuar 10 vite. Nuk me rrinte këtu mua, vinte thjesht ndonjëherë të hante bukë. Jetonte në mal, vetëm në mal. Asnjëherë nuk shkonte në fshat apo qytet. Kjo situatë ka 8 vite kështu. Për 10 gram hashash, dy gramë i gjetën në shtëpi, pastaj ja bene 10 gramë.

Pyetje - A ka kultivuar djali juaj këtu ndonjëherë hashash?

Berdane Braçellari: Asnjëherë, në Vlorë punuam me ndërtim, merrnin lekë, bëmë 30 dhi race dhe i sollëm këtu në Lozhan.

Pyetje - A është e vërtetë që shteti u ka ndihmuar me fonde?

Berdane Braçellari: Kemi marrë. Jo se më ka ndihmuar por i ka rregulla shteti këtu se unë e kam blegtorinë. Jo thotë Artan Hoxha farë Hashashi etj, ja shikoni shtëpinë. Çfarë nuk kemi dëgjuar.

Pyetje - Si ndiheni ju si nënë, një punonjës policie ndërroi jetë

Berdane Braçellari: Më vjen shumë keq, edhe djali im të kishte vdekur. Nuk ka faj as djali im as polici. Se dhe polici i urdhëruar është. Ai të bënte këtë gjë, të thoshte; 'Ndal". Nuk do ishte situata e këtillë.

Pyetje - A ka patur raste kur ka ardhur me pare policia dhe Renea për të kapur Violandin?

Berdane Braçellari: Disa herë. Nuk bënë këtë që bënë këta. Jo se ka qenë shumë herë, një rast pata. 

Pyetje - Çfarë mesazhi keni për familjen e policit të rënë?

Berdane Braçellari: Më vjen shumë keq, zëre sikur me vdiq djali im. Me vjen keq e për të, as nuk i njoh, as nënën as babanë, as djalin. Me vjen shume keq. Jam me ata. Me dhimbset e ai djalë. Nuk e njoh e nuk me njeh. Detyra e tij.

Pyetje - Do e takosh Violandin?

Berdane Braçellari: Do e takoj se e kam djalë. Me dhimbset. Kam gjithë këto vite me të.

Pyetje - Si ka mundësi që mbante armë, a e dinit ju? I rrezikohen jeta vetëm nga policia apo e të tjerë?

Berdane Braçellari: Nuk e dija që kishte armë. Nuk e kisha parë asnjëherë me armë. Nuk ka djali ti thotë nënës mbaj armë"

Pyetje - A ke tentuar ndonjëherë t'i mbushesh mendjen te dorëzohet?

Berdane Braçellari: Shumë herë. Vetëm i vinte inat, thoshte të dënohem 10 vite për dy gramë hashash, nuk shkel në polici. Hashashi nuk u gjet në shtëpinë time apo në makinën time por në banesë të braktisur.

Pyetje - Ka patur fjalë se Violandi ka shpëtuar këto vite sepse bashkëpunonte me policinë.

Berdane Braçellari: Çfarë thua? Ata e kishin halë në sy. Halë në sy, çdo vend kontroll, nga të katra anët, kudo që dilte djali do bënin kontroll makinat e çfarë kishte me vete. "

Pyetje - Një ditë para ngjarjes, a iku bariu juaj nga puna?

Berdane Braçellari: Ka ikur sepse e kemi bërë me llaf që do merrte 1 milion lek rrogën po te rrinte mbi një vit. Ai ndenji 10 ditë dhe kërkonte 33 mijë lek ditën. Kaq lek ke - i thashë. Ishte shumë mashtrues.

Pyetje - Ju besoni që Violandi nuk ka lidhje me lëndët narkotike? Flitet me bariun ka patur bashkëpunim

Berdane Braçellari: Çfarë nuk thonë. Nuk bëhet fjalë ta lajmëronte ai policinë, ai 10 ditë ndenji. Kur u bë lënda narkotike, kur u shit për 10 ditë? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos