
Avokati i ish-ministrit Ilir Beqaj ka reaguar sërish në lidhje me standardin e GJKKO-së gjatë procesit të Beqajt. Në një tjetër reagim në rrjetet sociale avokati Ermal Yzeiraj, duke publikuar qëndrimin e ish-ministrit, ai shprehet se kërkesa e Beqajt për të ndjekur procesin penal nga salla e gjyqit, pranë avokatit dhe jo në kafazin e qelqtë, ka marrë tre vendime të ndryshme nga trupa të ndryshme gjykuese.
Sipas tij, një trupë me tre gjyqtarë ka urdhëruar sjelljen e tij në sallë nga toga e shoqërimit, një gjyqtar tjetër i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të vlerësojë rrezikshmërinë në rastin konkret, ndërsa një trupë e tretë në Apel ka rrëzuar kërkesën e tij.
“Për të njëjtën kërkesë janë marrë tre vendime të ndryshme. Nuk kemi thjesht drejtësi të pavarur, por drejtësi të çoroditur”, thuhet në deklaratën e tij.
Ai thekson se kjo situatë ka krijuar një paqartësi të plotë procedurale, duke e quajtur këtë një “trilemë gjyqësore”.
Në këto kushte, Beqaj ironizon duke deklaruar se në seancën e ardhshme avokati i tij do të kërkojë që edhe mbrojtja të qëndrojë brenda kafazit të qelqtë, nëse nuk ndryshon mënyra e trajtimit të tij gjatë procesit.
Postimi i plotë
Në cilësinë e avokatit të Z. Ilir Beqaj dhe me porosi të tij, më poshtë deklarata e tij publike:
Dilema që u bë trilemë
Të dielën e kaluar komunikova me ju lidhur me një qëndrim kontradiktor të dy trupave të ndryshme të GJKKO-së për kërkesën time që procesin penal ndaj meje ta ndjek në sallë, pranë avokatit tim, dhe jo në kafazin e qelqtë.
Por të premten, më 5 qershor 2026, e njëjta kërkesë, e paraqitur para një trupe të GJKKO-së së Apelit, mori një përgjigje refuzuese, madje të ndryshme edhe nga dy vendimmarrjet e mëparshme.
Kështu, më 5 qershor, dilema se si do t’i ndjek proceset penale ndaj meje u bë trilemë.
Për mua, si i njëjti person, për të njëjtën kërkesë, janë marrë tre vendime të ndryshme:
* një trupë gjykuese, e përbërë nga tre gjyqtarë, ka urdhëruar togën e shoqërimit të më sjellë në sallë;
* një trupë tjetër gjykuese, me një gjyqtar, i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të vlerësojë rrezikshmërinë në rastin konkret;
* një trupë e tretë, me një gjyqtar në apel, e ka rrëzuar kërkesën.
Tre vendime të ndryshme nga tre trupa të ndryshme gjykuese nuk janë, në vetvete, diçka befasuese. Secila trupë gjykuese është e pavarur në vendimmarrjen e saj. Kjo është një arritje e drejtësisë së pavarur.
Vetëm se, në këtë rast, nuk kemi thjesht drejtësi të pavarur. Kemi drejtësi të çoroditur.
Ndërkohë, më 4 qershor 2026, Komiteti Shqiptar i Helsinkit u është drejtuar me shkresë, lidhur me kërkesën time për të qëndruar në sallë, si edhe për kërkesa të ngjashme të zotërinjve Ilir Meta dhe Erion Veliaj:
* zotit Erjon Bani, kryetar i GJKKO-së;
* zotit Ilir Rusi, kryetar i KLGJ-së;
* zotit Toni Gogu, ministër i Drejtësisë.
Përmbajtja e kësaj letre është bashkëngjitur.
Përballë trilemës së krijuar nga drejtësia e pavarur, në seancën më të parë të ardhshme, mbetet vetëm që avokati im t’i kërkojë gjykatës që gjatë seancës edhe ai të qëndrojë me mua brenda kafazit të qelqtë. (A2 Televizion)