
Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Sarandës, pasi u kap me armë zjarri dhe drogë. Gjatë kontrollit në lokalin që administronte 37-vjeçari në lagjen nr. 4, të qytetit , shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, 1 armë zjarri pistoletë me një krehër me 7 fishekë, si dhe një sasi lënde narkotike Kokainë, e cila dyshohet për shitje.
“Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në ambiente dhe subjekte të ndryshme në qytetin e Sarandës, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, gjatë operacionit policor të koduar “Administratori”, u goditën një rast i armëmbajtjes pa leje dhe një rast i shitjes së lëndëve narkotike. Për këto veprimtari kriminale u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 37 vjeç, banues në Sarandë. Gjatë kontrollit në lokalin që administrohej nga ky shtetas, në lagjen nr. 4, Sarandë, si dhe gjatë kontrollit fizik ndaj tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me një krehër me 7 fishekë, si dhe një sasi lënde narkotike Kokainë, e cila dyshohet se posedohej me qëllim shitjen”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)