Protestuesit kërkojnë shfuqizimin, Rama u përgjigjet: Po me Paketën e Maleve ç’ kanë Flamingot e Bulevardit? Budallallëku s'do ta ndalë turizmin

Nga A2 CNN
7 Qershor 2026, 11:40 | Aktualitet

Protestuesit kërkojnë shfuqizimin, Rama u përgjigjet: Po me

Në një tjetër reagim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë i është përgjigjur një prej kërkesave të protestuesve, të cilët kërkojnë shfuqizimin e paketës së maleve. Duke i quajtur flamengot e bulevardit ai ngre pikëpyetje sepse pronarët e tokave të trashëguara në zonat malore  duhet të privohen nga e drejta për të zhvilluar pronën e tyre.

Sipas tij Paketa e maleve sjell zhvillim ekonomik në këto dhe mundëson investimet e emigrantëve në tokat e tyre. Rama solli në vëmendje Austrinë që sipas tij ka arritur të ndërthurë mbrojtjen e zonave alpine me zhvillimin e turizmit. Sipas tij, në Tirol apo Kitzbühel janë ndërtuar infrastrukturë turistike, hotele dhe qendra skijimi, pa dëmtuar natyrën, por duke e kthyer atë në burim zhvillimi ekonomik.

Rama theksoi se modeli që synohet nuk është ndalimi i ndërtimeve, por zhvillimi i kontrolluar dhe me standarde, duke ruajtur mjedisin dhe njëkohësisht duke gjeneruar ekonomi dhe vende pune.

Ai përsëriti qëndrimin e tij se “budallallëku që e ka mbajtur Shqipërinë peng 100 vjet, s’ka për ta ndalur dot të vazhdojë rrugën e nisur për ta futur këtë vend në ligën e kampionëve të turizmit botëror”.

Postimi i plotë i Ramës në Facebook

Po me Paketën e Maleve ç’ kanë Flamingot e Bulevardit apo edhe ata që kanë tokat e trashëguara në Shqipërinë malore nuk duhet ta gëzojnë pronën e tyre, duke zhvilluar një agroturizëm, një punishte agropërpunimi, një fermë?!

Sot, ata nuk marrin certifikatë me 7501-shin, se e kanë ndarë mesveti tokën sipas kufijve të vjetër dhe nuk e kanë pranuar asnjëherë 7501-shin, po duke mos pasur certifikatë s’marrin dot as leje, as subvencione nga shteti, as financime nga fondet e BE-së, as kredi nga bankat.

Ndërsa Paketa e Maleve, e cila është zgjidhje e formësuar në vite që ka mbështetjen e tyre dhe po tërheq mijëra emigrantë për të investuar në tokën e tyre, mbyll boshllëkun ligjor, hap rrugën e futjes së kursimeve të emigrantëve në Shqipërinë malore dhe fut malet në ekonominë tonë përmes zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.

Ah, zonat e mbrojtura, natyra, po, natyra, pemët dhe shqiponjat që do t’i shpëtojë revolucioni imagjinar, duke anuluar Paketën e Maleve????

➡️ Po Austria?

Kur flitet për zhvillimin në zonat e mbrojtura, shpesh krijohet përshtypja sikur zgjedhja është e prerë me thikë:

Ose natyrë.

Ose zhvillim.

Po në fakt, zonat e mbrojtura ndahen me kategori të ndryshme dhe kanë nivele të ndryshme mbrojtjeje, nga kategoria I ku ndërtimi përjashtohet totalisht tek për shembull kategoria V, si në pjesën gadishullore të Zvërnecit, ku qysh nga ligji i 2017-ës është e qartë se mund të ndërtohet me kushte të caktuara.

Alpet Austriake janë ndër peizazhet më të mbrojtura dhe më të qendisura në Europë. Brenda dhe përreth zonave të mbrojtura përgjatë tyre gjenden qindra fshatra alpine, hotele, resorte, teleferikë, qendra skijimi, shtigje turistike dhe infrastrukturë moderne që tërheqin miliona vizitorë çdo vit.

Rajone si Tiroli apo destinacione si Kitzbühel janë kthyer kaherë në marka globale të turizmit malor.

Megjithatë, askush nuk e thotë dot kurrë se Austria sakrifikoi Alpet për turizmin. Përkundrazi. Austria ndërtoi turizmin për Alpet.

Ata njerëz të mençuar e kuptuan nga të parët se peizazhi nuk ishte pengesë për zhvillimin, po ishte vetë themeli i zhvillimit.

Prandaj modeli austriak nuk ishte kurrë: “Mos ndërtoni asgjë.”

Por ishte:

“Ndërtoni me kujdes.

Ndërtoni me cilësi.

Ndërtoni aty ku duhet.

Mbroni atë që është e pazëvendësueshme.”

Sot turizmi gjeneron miliarda euro çdo vit për ekonominë austriake dhe mbështet qindra mijëra vende pune, ndërsa Austria mbetet një nga vendet me standardet më të larta të mbrojtjes së natyrës në Europë.

Pyetja nuk është nëse natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë.

Pyetja është nëse kemi vizionin, dijen dhe disiplinën për t’i bërë ata aleatë të njëri-tjetrit, duke rritur qëndrueshmërinë mjedisore të vendit dhe ekonominë shqiptare falë një turizmi cilësor me të ardhura të larta.

Sepse kur natyra trajtohet si pasuria më e madhe e një vendi, ajo nuk mbrohet duke e izoluar nga ekonomia, po duke e kthyer në zemrën e ekonomisë.

Prandaj, e përsëris:

BUDALLALLËKU QË E KA MBAJTUR SHQIPËRINË PENG 100 VJET, S’KA PËR TA NDALUR DOT TË VAZHDOJË RRUGËN E NISUR PËR TA FUTUR KËTË VEND NË LIGËN E KAMPIONËVE TË TURIZMIT BOTËROR. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos