Ish-ushtari i UÇK-së, Qerim Gjocaj, ka rrëfyer në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN momentet dramatike të luftës së Kosovës dhe plagët që mbart ende nga beteja e 28 korrikut 1998 në zonën e Junikut. Ai tregoi se u plagos rëndë gjatë përleshjeve me forcat serbe, duke humbur dorën në moshën 20-vjeçare. Gjocaj tha se, pavarësisht sakrificave të mëdha, ndihet krenar që kontributi i tij dhe i bashkëluftëtarëve ka ndihmuar në lirinë e Kosovës.
“Të paktën e dimë që kontributi ynë dhe ajo që kemi bërë për vendin ia ka vlejtur. Kur e di që shteti ynë po ecën përpara, ndihem mirë dhe krenar”, u shpreh ai.
Duke kujtuar betejën e 28 korrikut 1998 në fshatin Gjocaj, ai tregoi se forcat serbe synonin të merrnin kontrollin e Junikut, një zonë me rëndësi strategjike.
“Serbia kishte përgatitur forcat më speciale për të marrë ato pika strategjike, por nuk ia arriti qëllimit. Aty kishte djem të zotë, edhe pse ishim më pak në numër dhe me më pak armatim. Tre ranë dëshmorë dhe tre të tjerë u plagosën, mes tyre edhe unë”, rrëfeu Gjocaj.
Sipas tij, plagosja ndodhi nga një distancë shumë e afërt.
“U plagosa në afërsi, rreth 10 metra larg. Mora mbi 30 plumba. Në atë moment thashë: ‘Ma këputën dorën’. Babai im kishte eliminuar ushtarët serbë dhe erdhi te unë. Më tha: ‘Për hajër qofshin plagët e lirisë’”, kujtoi ai.
Gjocaj tregoi se në çastin e plagosjes nuk ndjeu dhimbje, por vetëm një temperaturë të lartë të trupit, ndërsa sot e konsideron sakrificën e tij pjesë të çmimit që u pagua për lirinë e Kosovës. (A2 Televizion)