
Raundi i parë i bisedimeve midis zyrtarëve të lartë amerikanë dhe iranianë në Zvicër përfundoi të hënën. Bisedimet vijnë mes njoftimeve se Tehrani ka mbyllur sërish Ngushticën e Hormuzit dhe ndërkohë Donald Trump ka paralajmëruar për rinisjen e sulmeve ndaj Iranit.
Një deklaratë e përbashkët nga vendet ndërmjetëse, Katari dhe Pakistani, tha se SHBA-të dhe Irani ranë dakord për një plan veprimi drejt një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditëve. Bisedimet teknike do të vazhdojnë për pjesën tjetër të javës në vendpushimin malor zviceran Buergenstock, në pronësi të Katarit, sipas deklaratës, e cila u publikua nga ministria e jashtme e Katarit.
Palët ranë dakord për një mekanizëm për t'i dhënë fund luftimeve në Liban dhe hapën një linjë komunikimi për të ndihmuar në sigurimin e kalimeve të sigurta për anijet tregtare përmes ngushticës së kontestuar, thuhet në deklaratë.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance filloi bisedimet me zyrtarët iranianë të dielën sipas kushteve të një memorandum mirëkuptimi të arritur javën e kaluar për të zgjatur një armëpushim të brishtë nga prilli për të paktën 60 ditë të tjera. Diskutimet vazhduan deri në orët e para të së hënës.
Në një postim në rrjetet sociale, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se vendi i tij kishte siguruar përjashtime për eksportet e naftës dhe petrokimikateve, lirimin e disa aseteve të ngrira dhe nisjen e një plani rindërtimi dhe zhvillimi për Iranin.
Shtëpia e Bardhë nuk bëri asnjë koment të menjëhershëm kur u pyet nëse bisedimet e nivelit të lartë kishin përfunduar për momentin.
Pak para se bisedimet të fillonin zyrtarisht të dielën, Fox News raportoi se Trump tha se u kishte thënë zyrtarëve iranianë se "nuk do të keni një vend" nëse ata përpiqeshin ta mbyllnin përsëri ngushticën.
Trump përsëriti gjithashtu kërcënimin e mëparshëm se SHBA-të do të merrnin kontrollin e rrugës ujore dhe ndoshta do të vendosnin një tarifë të vetën, tha Fox News. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se ra dakord për memorandumin e mirëkuptimit të javës së kaluar për të shmangur një depresion ekonomik global nga çmimet e larta të naftës të shkaktuara nga mbyllja e ngushticës.
Çmimet e naftës ranë gjatë javës së kaluar në nivele të papara që nga fillimi i luftës më 28 shkurt me sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit. (A2 Televizion)