
Kupa e Botës 2026 është gati të nisë, por atmosfera para turneut më të madh në historinë e futbollit është dominuar më shumë nga tensionet politike dhe polemikat sesa nga emocionet sportive.
Vetëm një ditë para ndeshjes hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut në stadiumin legjendar “Estadio Azteca”, organizatorët po përballen me një sërë sfidash që rrezikojnë të lënë në hije spektaklin futbollistik.
Një nga çështjet më të debatueshme lidhet me Iranin. Federata Iraniane e Futbollit ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për tërheqjen e kuotës së biletave për tifozët iranianë dhe vendosjen e pengesave burokratike për delegacionin e ekipit kombëtar.
Situata vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara pas konfliktit ushtarak mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, shkruan A2CNN.
Ndërkohë, në Meksiko Siti, ku do të zhvillohet ceremonia dhe ndeshja hapëse e turneut, protestat e sindikatës së mësuesve dhe organizatave të familjarëve të personave të zhdukur kanë shtuar shqetësimet për sigurinë. Demonstruesit kanë paralajmëruar bllokime rrugësh pranë stadiumit, duke detyruar autoritetet të shtojnë masat e sigurisë.
Polemika ka shkaktuar edhe rasti i arbitrit somalez Omar Artan, të cilit iu refuzua hyrja në Shtetet e Bashkuara për të gjykuar në Kupën e Botës. Pas kthimit në Mogadishu, ai u prit si hero nga bashkëqytetarët e tij, ndërsa FIFA deklaroi se nuk ka kompetenca mbi procesin e vizave dhe hyrjes në vendet pritëse.
Në aspektin sportiv, kombëtaret po kryejnë përgatitjet e fundit. Anglia po monitoron me kujdes gjendjen fizike të yllit Bukayo Saka, i cili vazhdon të rikuperohet nga një dëmtim në tendinin e Akilit. Trajneri Thomas Tuchel ka theksuar se lojtari nuk është ende në formën optimale, por mbetet një nga elementët kyç të skuadrës.
(A2 Televizion)