
Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor mbetet kryesor për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Kështu u shpreh presidenti Bajram Begaj gjatë fjalës së tij në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje.
“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj kësaj rruge. Ne po avancojmë agjendën tonë të reformave dhe po ecim përpara në procesin e anëtarësimit në BE, me objektivin për ta përmbyllur këtë proces brenda kësaj dekade”, u shpreh presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit vuri theksin te forcimi i bashkëpunimit rajonal, siguria, ndërlidhja infrastrukturore dhe qëndrueshmëria energjetike.
“Ne po punojmë fort për ndërlidhshmërinë, në mënyrë të veçantë në infrastrukturën strategjike, Korridorin VIII, Porto Romanon, si edhe korridorin Adriatiko-Jonian. Ajo që çon përpara një vend, kontribuon në stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithëve”, u shpreh Presidenti Begaj.
Krah Presidentes së Republikës së Bullgarisë, Iliana Iotova, dhe Ministres së Jashtme të Rumanisë, znj. Oana-Silvia Țoiu, si pjesë e trojkës së Presidencës së SEECP-së, Kreu i Shtetit deklaroi në konferencën e shtypit se thellimi i bashkëpunimit në Evropën Juglindore është domosdoshmëri, eshtë mënyra më efektive për të përmirësuar ndërlidhjen dhe për të krijuar mundësi më të mira për qytetarët tanë.
Në përfundim të samitit, liderët miratuan Deklaratën e Sofjes, ndërsa Presidenca e SEECP-së i kaloi zyrtarisht Bukureshtit.
Kreu i Shtetit shprehu mbështetjen e tij për Presidencën e ardhshme rumune të SEECP-së, me bindjen se nën drejtimin e saj ky proces do të vazhdojë të sjellë rezultate domethënëse.
(A2 Televizion)