Kaos, zjarr dhe dhunë në Belfast! Protesta kundër emigracionit, digjen banesa e makina

Nga Rosalba Bejdo
10 Qershor 2026, 14:55 | Bota

Natë kaosi dhe përleshjesh në Belfast, ku persona të maskuar i vunë zjarrin banesave dhe një sërë automjetesh gjatë protestave të dhunshme antiemigracion. Revolta shpërtheu pasi një shtetas sudanez plagosi me thikë një qytetar, duke u akuzuar për tentativë vrasjeje. Qindra protestues, shumë prej të cilëve me fytyrë të mbuluar, sulmuan policinë dhe dogjën automjete e një autobusi në një numër lokacionesh rreth Irlandës së Veriut, pasi një video që tregonte momentin e plagosjes me thikë u bë virale. Viktima e sulmit thuhet të ketë humbur syrin e majtë. Pamjet treguan policinë teksa ndihmonte familjet të evakuoheshin nga shtëpitë e përfshira nga flakët.

Politikanë dhe një pastor thanë se shumë prej personave të vënë në shënjestër të këtyre sulmeve ishin me ngjyrë. “Ishte e tmerrshme, e dini? Isha në shtëpi me qenin tim, kështu që më duhej të dilja me nxitim nga dera e pasme. Ndërkohë, qeni i fqinjit tim kishte mbetur i bllokuar në shtëpi, ndaj edhe ata po përpiqeshin të hynin me forcë në shtëpinë e tyre për ta shpëtuar. Por pata fat që miqtë e mi jetojnë afër, kështu që më lanë të qëndroja tek ata atë natë.”

Kryeministri britanik Keir Starmer e përshkroi sulmin fillestar me thikë, që ndodhi në veri të Belfastit, si të neveritshëm. Ngjarja, e cila nuk po trajtohet si akt terrorist, vjen në një moment tensionesh të shtuara në Mbretërinë e Bashkuar, pas vrasjes së një studenti. I riu ishte prangosur nga policia ndërsa po jepte shpirt nga plagët e marra me thikë, pasi vrasësi i tij, një burrë indian, kishte pretenduar në mënyrë të rreme se kishte qenë viktimë e një sulmi racist.

Incidenti pason gjithashtu protestat e përsëritura kundër emigracionit, me partitë populiste që thonë se politikat e azilit në Mbretërinë e Bashkuar kanë lejuar persona të rrezikshëm në vend. Miliarderi i teknologjisë Elon Musk ripostoi një sërë mesazhesh që denonconin shtetin në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa iu bënë thirrje qytetarëve të protestojnë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të vinte ndryshimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos