
Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2026–2030 ishte projektvendimi i vetëm që nuk u miratua në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas diskutimeve të zhvilluara për terminologjinë e përdorur në dokument.
Debati u përqendrua kryesisht te përdorimi i termit “transformim gjinor”. Këshilltarja e opozitës, Edlira Devolli, kërkoi sqarimin e këtij termi, duke argumentuar se dokumenti nuk ofron qartësi të mjaftueshme dhe se formulimet e përdorura mund të krijojnë keqkuptime.
Në përgjigje, drejtoresha e Shërbimeve Sociale në Bashkinë Durrës, Diola Xhango, sqaroi se termi “transformim gjinor”, në kontekstin e planit, nuk lidhet me identitetin gjinor, por me përmirësimin e kushteve sociale dhe ekonomike të grave në situata vulnerabël. Sipas saj, dokumenti synon fuqizimin e grave të dhunuara, të divorcuara, kryefamiljare dhe të atyre që përballen me vështirësi sociale e ekonomike, shkruan A2CNN.
Gjatë diskutimeve u bë e ditur se plani katërvjeçar parashikon masa dhe fonde për zbatimin e politikave të barazisë gjinore, ndërsa përmban edhe referenca ndaj komunitetit LGBT.
Pavarësisht sqarimeve të dhëna nga përfaqësuesit e administratës, projektvendimi nuk mori votat e nevojshme për t'u miratuar nga Këshilli Bashkiak. (A2 Televizion)