Deputeti i Partisë Demokratike Xhelal Mziu dhe gazetari Bardh Sejdarasi patën një debat të fortë mbi kërkesat e protestuesve, të cilët dalin në shesh për ditën e 24-t radhazi.
Debati në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN:
Mziu: Po të shohësh njerëzit që janë në protestë, kemi thyer rekord botëror për numrin e protestuesve në raport me popullsinë që jeton në Shqipëri. Ka arsye për të protestuar për një kryeministër që e ka shpopulluar vendin, që është aktori numër një në botë në komunikim me grupet kriminale dhe që e ka kthyer Shqipërinë në një plaçkë tregu. Kryeministri nuk merret me qytetarët që dalin dhe protestojnë, por ndërsen shtetin, SHIK-un, policinë, kamerat për të survejuar qytetarët shqiptarë. Këtë s'e ka bërë as qeveria e diktaturës. Çfarë do të thotë kjo? Që Shqipëria ka vetëm një zgjidhje: plotësimi i kërkesave të qytetarëve të cilët janë pa ngjyrim. A keni parë pagën e shqiptarëve? Paga më e ulët në rajon.
Sejdarasi: Po nuk je në Kuvend… Po të monitoron partia?
Mziu: A të shqetëson fakti që fondet e Bashkimit Europian për IPARD-in ka tre vite që bujqësia nuk i merr?
Sejdarasi: Asgjë nuk më shqetëson. Ti përmende nja 4-5 shtete, edhe unë jam përsëri dakord me ty që po aq herë i kanë ndërruar kryeministrat. Turp t'ju vijë juve që e keni lënë kryeministër kaq vite!
Mziu: Përderisa kthehesh ti, vjen PD-ja, bëhesh me PD-në. Vjen PS-ja, kthehesh andej… Çfarë të themi ne?
Sejdarasi: Jo, unë jam me shqiptarët. A të ka pëlqyer ty kur kam qenë me PD-në?
Mziu: Mua më pëlqen kur flet si profesionist, jo si partiak.
Sejdarasi: Kështu jeni ju në politikë. Kur je me PD-në, të shan PS-ja; Kur je me PS-në, të shan PD-ja. Unë kam zgjedhur një rrugë tjetër. Unë nuk jam as me PD-në, as me PS-në. Unë jam me këta protestuesit dhe uroj që pesë pikat e protestës të realizohen. Po të jenë kështu siç thua ti, s'kanë për t’u realizuar kurrë. Dhe unë prandaj e përmenda atë pjesën që lidhet me ligjin.
Mziu: Edhe shoku Enver kështu thonte, që nuk do të ndërrojë kurrë. Kjo protestë është varrmihësja e kësaj qeverie dhe do të shkojmë drejt një qeverie teknike, që qytetarët shqiptarë të votojnë si Kosova, si Maqedonia, si vendet e Bashkimit Europian.
Sejdarasi: Jam shumë dakord me ju që protesta të vazhdojë dhe të realizohen kërkesat e protestës. Këto pesë kërkesa që janë bërë nuk realizohen për shumë arsye. (A2 Televizion)