Një taktikë të kryeministrit dhe propagandë për të shmangur vëmendjen nga çështjet nga 5 pikat e protestuesve e ka konsideruar aktivisti dhe protestuesi Egon Loli, përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe Dritan Goxhajt. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e kësaj propagande por të fokusohen të qëllimet e protestës.
“Ka patur edhe në portale të ndryshme sot shpjegime e artikuj që shpjegojnë që këto janë taktika të kryeministrit. Po të mos ishte Goxhaj, të isha unë do merrej me mua apo dikë. Kjo është makineri propagandiste e kryeministrit për t’u shmangur vëmendjen nga çështjet nga 5 pikat dhe për t’u marrë me njerëz konkretë për t’i hedhur në opinion publik për konsum. Unë bëj thirrje publike që të mos bien pre ata që janë të ndërgjegjshëm i këtij mekanizmi dezinformomi por të fokusohen te protesta dhe qëllimet e saj. Kryëministri ka 15 vjet në pushtet që këtë komunikim ka”.
I pyetur se pse u zgjodh zoti Goxhaj për të artikuluar 5 pikat dhe platformën e protestës që vijon sot në ditën e 24 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, aktivisti u përgjigj: “Pse jo? A nuk është Goxhaj një protestues që ka qëndrime të veta publike është protestues si të gjithë të tjerët ka të drejtën që të flasë. Nuk është përfaqësues i ndonjë partie politike që ka dalë nga protesta kjo është e gjitha një furtunë në gotë. Atë platformë mund ta kishin artikuluar studentë, të krishterë, myslimanë, veriorë e jugorë”.
Ai mohoi infiltrimin grupeve nga Serbia Irani dhe Greqia në protestë dhe tha se pesë pikat janë formulim i gjithçkaje që është thënë në protestë.
“Në atë protestë ka patur thirrje që kanë jehuar me thirrjet e kryeministrit për infiltrim grupesh nga Serbia nga Greqia, Irani e Turqia, shumë të turpshme nga njëri prej pjesëtarëve të grupit koordinues. Nuk ka grupe të infiltruara në atë protestë. Pesë pikat janë formulim i gjithçkaje që është thënë në protestë. Janë shqetësime të materializuara dhe të gjithë ata që janë të ndërgjegjshëm që në këtë vend ka një problem të madh me politikën. Janë gjëja më e natyrshme që mund të lindte në atë protestë”.
(A2 Televizion)