“Të mos fajësohen mjekët kur ka mangësi sistemi. Fyerje intelektuale”! Mjekja i përgjigjet Ramës

Nga A2 CNN
4 Korrik 2026, 15:35 | Politikë

“Të mos fajësohen mjekët kur ka mangësi sistemi.

Përmes një reagimi në Facebook, mjekja alergologe Alketa Ibranji i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me ankesat për shërbimin shëndetësor parësor dhe vonesat e raportuara nga qytetarët në sistem.

Në një lidhje direkte për “Ditarin e Fundjavës” nga Denisa Pasholli, Ibranji tha se reagimi i saj erdhi pas një videoje dhe komunikimi të kryeministrit, ku trajtohej një rast ankese për shërbimin shëndetësor.

Ajo sqaroi se problemet në sistem nuk mund t’u adresohen vetëm mjekëve, pasi ato lidhen me organizimin dhe funksionimin e vetë strukturës shëndetësore.

Alketa Ibranji: Reagimi im erdhi pas një videoje dhe një komunikimi që bëri zoti Kryeministër në lidhje me ankesën e nënës së një miku të tij, ku kritikoheshin vonesat dhe burokracitë në ofrimin e shërbimit shëndetësor nga mjekët. Ajo që më shtyu të reagoj nuk ishte indinjata, por ajo që unë e konsideroj një fyerje intelektuale. Nuk lashë emocionet të udhëhiqnin analizën time, por u përpoqa të shpjegoj faktet në postimin që publikova.

Sigurisht, zoti Rama foli për nevojën e një reforme dhe për trajtimin me prioritet të keqadministrimit në shërbimin shëndetësor parësor. Megjithatë, mënyra se si e paraqiti çështjen, përmes fjalëve të një nëne që protestonte për shërbimin dhe duke ia adresuar përgjegjësinë mjekëve, ishte një komunikim i painformuar.

E pashë të nevojshme të sqaroj se si funksionon realisht shërbimi shëndetësor parësor. Ky është një sistem me rregulla të përcaktuara, ku janë bërë investime për organizimin dhe mbarëvajtjen e punës në poliklinika.

Dua të theksoj një gjë: në të njëjtin front jemi mjekët, pensionistët, pacientët dhe familjarët e tyre. Përballë nesh është sistemi. Nëse hallka lidhëse mes sistemit dhe qytetarit janë mjekët, atëherë ata nuk duhet të fajësohen për mangësitë e sistemit. Pikërisht për këtë arsye ndjeva detyrimin të reagoj, jo vetëm në emrin tim, por edhe në emër të mijëra punonjësve të shëndetësisë që punojnë çdo ditë, nga e hëna deri të shtunën, në shërbimin shëndetësor parësor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos