''U dhunua në komisariat në krizë epilepsie'', valë reagimesh pas denoncimit të avokatit

Nga A2 CNN
4 Korrik 2026, 17:14 | Kronikë

Janë ngritur pretendime për ushtrim dhune ndaj një protestuesi të ndaluar në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë, të identifikuar si Niko Qarkaj.

Pretendimet janë bërë publike nga avokati i tij, Gentian Serjani, i cili deklaron se klienti i tij është dhunuar gjatë qëndrimit në komisariat dhe se nuk është marrë në konsideratë gjendja e tij shëndetësore.

Sipas tij, policia ka ushtruar dhunë edhe pasi e kanë kapur krizat e epilepsisë, ndërsa deklaron se klienti nuk ka qenë protestues, shkruan A2.

Avokati i Popullit ka angazhuar menjëherë dy ekipe në terren për verifikimin e pretendimeve, një në spital dhe një në bllokun e sigurisë në Komisariatin Nr. 3, pranë rrugës “Mine Peza”.

Institucioni thekson se deri tani janë administruar 10 ankesa për tejkalim force gjatë ndalimit apo shoqërimit nga ana e punonjësve të policisë dhe deri të premten asnjë prej personave të ndaluar nuk ka paraqitur ankesë për ushtrim dhune gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë. Por, hetimi vijon.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka deklaruar se nëse pretendimet për dhunë rezultojnë të vërteta, bëhet fjalë për një rast shumë të rëndë, veçanërisht për shkak të gjendjes shëndetësore të të ndaluarit. Ai kërkoi reagim pasi heshtja rrit dyshimet dhe dëmton besimin publik. 

Ministri i Brendshëm tha se policia i hedh poshtë si të pavërteta të gjitha pretendimet, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur verifikimet. Besfort Lamallari thekson se nëse edhe AMP konstaton se deklaratat rezultojnë të rreme, do të ndiqen të gjitha hapat ligjorë përkatës, pasi lidhen me përhapjen e qëllimshme të thënieve që nxisin urrejtje. E po ashtu, do të kërkohet heqaj e licencës së avokatit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos