
Kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e qeverisë Rama, si dhe ndikimi në procesin e integrimit europian është shoqëruar me debate mes deputetes socialiste Klodiana Spahiu dhe avokatit Indrit Sefa. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, deputetja socialiste, theksoi se Edi Rama ka një mandat nga qytetarët dhe nuk do të japë dorëheqjen.
"Edi Rama e ka marrë mandatin për katër vjet dhe nuk ka për t’u tërhequr. Është mandatuar nga 850 mijë qytetarë për të qeverisur këto katër vite", u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, avokati Sefa iu kundërpërgjigj: "Mandati është për të qeverisur, jo për të vjedhur. Ka një diferencë shumë të madhe".
Spahiu u shpreh se protesta është lexuar nga qeveria si një sinjal për të dëgjuar qytetarët, por ngriti edhe pretendimin se në të ka elementë të mbështetur nga "forca të errëta".
"Pas asaj proteste ju garantoj unë që ka elementë të mbështetur nga forca të errëta që duan të pengojnë Shqipërinë në procesin e integrimit”, tha ajo, duke shtuar se qeveria do të vijojë punën për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Sipas saj, protestat po ndikojnë edhe në sektorin e turizmit, duke sjellë anulime dhe ulje të prenotimeve në hotelet elitare.
"Shkoni pyesni hotelet dhe agjencitë turistike. Ka shtretër që këtë verë kanë mbetur bosh, ndryshe nga viti i kaluar. Shqipëria ka nevojë për qëndrueshmëri dhe stabilitet", deklaroi Spahiu.
Ajo shtoi se investimet strategjike dhe zhvillimi ekonomik kërkojnë një klimë të qetë dhe se puna e institucioneve nuk duhet të ndalet, ndërsa theksoi rëndësinë e reformës zgjedhore dhe reformës për pushtetin vendor.
Deputetja socialiste tha se protesta ka vendosur një standard të ri të reagimit qytetar dhe se qeveria duhet të nxjerrë mësime prej saj, veçanërisht për konsultimin publik të projekteve të rëndësishme. (A2 Televizion)