“Partia Demokratike ka dëmtuar thelbin e protestës”, Sefa: Rama e ka planin e qartë

Nga A2 CNN
6 Korrik 2026, 21:25 | Politikë

Avokati Indrit Sefa deklaroi se Partia Demokratike e ka dëmtuar protestën.

Në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, ai e shtjelloi kështu mendimin e tij: “Unë nuk shoh protestë të organizuar nga Partia Demokratike. Madje, mendoj që PD-ja e ka dëmtuar thelbin e protestës. Ditët e para, protesta ishte shumë e bukur, tërheqëse, të gjithë qytetarët e panë veten në atë protestë, pjesë të asaj proteste. Shikonin që po transmetohej edhe halli i tyre aty. Më pas, Rama nisi me antimitingje si Ramiz Alia dhe e pashë realisht të rrezikuar Ramën në ato momente, sepse nuk po dinte si t’i përgjigjej. Sot, Edi Rama di si të përgjigjet, e ka planin të qartë”.

“Javën e parë kërkonin me patjetër një drejtues. Sa doli një drejtues, i numëruan edhe lugët në shtëpi atij të shkretit. Protesta pati suksesin maksimal kur nuk kishte drejtues sepse Sigurimi i Shtetit nuk dinte se kë grup duhet të godiste. Pankartat e të rinjve ishin forma më e lartë e protestës, ironia ishte në nivelet maksimale, duke e bërë protestën shumë tërheqëse për të gjithë. Kur u bë në nivel politik, nuk e kuptoj pse u shpreh opozita. Nuk e kuptoj pse u angazhua. Protesta duhej të lihej të bënte punën e vet ashtu siç nisi”, shtoi Sefa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos