
Deputetja socialiste Sara Mila në një reagim në rrjetet sociale thekson se mbrëmja e koncertit të Kanye West ishte dëshmia e Tiranës europiane.
Mila thekson se Shqipëria është tanimë një vend që organizon evente të përmasave ndërkombëtare, e aftë të krijojë ekonomi dhe të promovojë turizmin.
Deputetja e PS vë në dukje se brezi i ri po e ndërton dhe jeton Europën në Shqipëri.
POSTIMI
MIRËMËNGJES ME SHIJEN E MIRË TË TIRANËS EUROPIANE
Ndërsa disa zgjedhin ta shohin Shqipërinë vetëm përmes zhurmës, ka edhe një Shqipëri tjetër që flet shumë më fort me atë që ndërton.
Mbrëmja e koncertit të Kanye West ishte një dëshmi e kësaj Shqipërie. Një Tiranë europiane, e gjallë, e sigurt, mikpritëse, ku mijëra të rinj nga Shqipëria, rajoni dhe Europa u bënë bashkë në një atmosferë që promovonte kulturën, energjinë dhe lirinë.
Kjo është fytyra që meriton të shihet. Një vend që është në gjendje të organizojë evente të përmasave ndërkombëtare, të tërheqë vizitorë, të krijojë ekonomi, të promovojë turizmin dhe të vendosë emrin e Shqipërisë në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme kulturore.
Europa nuk është vetëm një destinacion politik. Europa është një mënyrë jetese. Është besimi tek liria, tek arti, tek kultura, tek rinia dhe tek një shoqëri që ecën përpara pa frikë nga e reja.
Dhe nëse ka një arsye për të qenë optimistë, janë pikërisht të rinjtë. Ata që nuk pranojnë të jetojnë me komplekset e së shkuarës, por duan një Shqipëri që konkurron, që mirëpret botën dhe që bëhet pjesë e saj me dinjitet.
Sepse brezi ynë nuk kërkon vetëm të jetë pjesë e Europës. Brezi ynë po e ndërton Europën këtu, në Shqipëri. Dhe po e jeton atë, çdo ditë.
Më e mira është përpara për Shqipërinë dhe shqiptarët! (A2 Televizion)