
Gjykata e Fierit po verifikon masat e sigurisë për 3 vajzat e akuzuara për dhunimin dhe më pas filimimin e një 17-vjeçareje. Prokuroria ka kërkuar "arrest me burg" për vajzën 20-vjeçare, "arrest shtëpie" për njërën nga 15-vjeçaret, si dhe "shtrim të përkohshëm në spitalin psikiatrik" të Qendrës Spitalore të Burgjeve për 15-vjeçaren tjetër.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 8 qershor në banesën e 20-vjeçares, ku dy prej vajzave e kanë dhunuar fizikisht 17-vjecaren, ndërsa e treta ka regjistruar skenën me telefon. Rasti u bë publik 1 muaj me vone vetëm pas shpërndarjes së videos në rrjetet sociale, çka e shtyu viktimën t'i rrëfente të ëmës traumën dhe të bënte denoncimin në polici. 3 vajzat bashkëpunëtore në dhunë, e pranuan krimin duke u justifikuar me "motive të dobëta".
Në lidhje me vendimin, nëna e 15-vjeçares së shtruar në psikiatri ka reaguar e alarmuar, duke deklaruar se institucionet nuk e kanë njoftuar ende për diagnozën apo trajtimin e vajzës. Ajo ka dëshmuar se problemet e të bijës ishin të hershme dhe se kur kërkuan ndihmë nga psikologia e shkollës publike u dëbuan, duke u detyruar ta regjistronin në një shkollë private ku vajza nuk shkoi asnjë ditë nga frika e bullizmit. (A2 Televizion)