
Parlamenti Europian miratoi në seancën e së mërkurës raportin për Shqipërinë , duke rikonfirmuar mbështetjen për procesin e integrimit europian të vendit. 483 deputetë votuan pro, 103 kundër dhe 70 abstenuan. Raporti, i hartuar nga raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder, ishte diskutuar më parë në Komisionin për Punët e Jashtme dhe kishte marrë më herët 58 vota pro, 7 kundër dhe po aq abstenime.
Eurodeputetët përshëndesin progresin e shpejtë të Shqipërisë në vitet e fundit dhe i bëjnë thirrje autoriteteve që të sigurojnë zbatimin e plotë të legjislacionit të miratuar. Pavarësisht këtij progresi, Parlamenti thotë se Shqipëria ende përballet me disa sfida, si tejkalimi i polarizimit politik të brendshëm dhe përmirësimi i kulturës politike të vendit, forcimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i reformave kundër korrupsionit.
Duke marrë parasysh ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, raporti paralajmëron se cilësia e reformave të vendit do të përcaktojë afatin kohor të pranimit në BE.
“Shqipëria është një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe kjo pasqyrohet edhe në raport. Objektivi i Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 nuk është thjesht një dëshirë që mund të realizohet, por një perspektivë realiste”, tha raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder.
“Raporti i këtij viti vë në qendër të vëmendjes çështjet sociale. Është thelbësore që procesi i anëtarësimit të mos fokusohet vetëm te treguesit si sundimi i ligjit dhe ekonomia. Duhet të sigurohemi që të jetë ndërtuar një sistem social funksional, me sindikata aktive dhe legjislacion të fortë të punës që vendos në plan të parë të drejtat e punëtorëve. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantojmë që Shqipëria të jetë vërtet e gatshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian”. (A2 Televizion)