Bisedat në SKY ECC, grupi i kokainës, miliona euro cash në fuçi 50 litroshe

Nga Armand Bajrami
17 Qershor 2026, 15:49 | Kronikë

Komunikimet në aplikacionin SKY ECC të anëtarëve të rrjetit kriminal të trafikut të kokainës, të goditur të martën nga SPAK, kanë nxjerrë në dritë për hetuesit mënyra të pazakonta të fshehjes së parave cash. Burime pranë SPAK konfirmuan se në një bisedë të gushtit 2020 mes vëllezërve Isa Aliu dhe Shpëtim Aliu, i pari i thotë se ka në gjendje 6 milionë euro cash, shkruan A2 CNN. Disa ditë më vonë, Shpëtim Aliu i bën me dije se do të ketë në vijim edhe 20 milionë të tjera, ndërsa e orienton për mënyra të fshehjes së parave, përfshirë groposjen e tyre, të futura në fuçi 50-litroshe.

SPAK ka ngritur dyshime se Isa Aliu ka marrë të paktën 30 milionë euro nga vëllai i tij Shpëtim Aliu, i njohur edhe si Salvadore, të cilat i ka investuar në fushën e ndërtimit. Sipas hetimit të nisur pas një referimi të Policisë së Shtetit në maj 2020, Shpëtim Aliu kishte rol kyç në grupin kriminal të angazhuar në trafikimin e tonelatave të kokainës nga Amerika Latine në Europë. Për shkak të lidhjeve të tij të forta në vendet e origjinës së drogës, ai dyshohet se kishte rolin e furnizuesit, organizatorit dhe financuesit të ngarkesave të kokainës nga Ekuadori drejt vendeve të BE-së.

Ndërsa personi që bënte të mundur pastrimin e parave që mbërrinin cash në Shqipëri ishte vëllai i tij, Isa Aliu, i angazhuar edhe në disa biznese tregtare në vend.

SPAK njoftoi të martën se kishte siguruar 10 urdhër-arreste, mes të cilëve për vëllezërit Shpëtim dhe Isa Aliu, Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari. Ata akuzohen se janë përfshirë në trafikimin e 50 tonëve kokainë, ndërsa janë dokumentuar 5 episode me 8.9 ton në total. Policia mundi të arrestojë vetëm të dyshuarin Florian Musaj. Dy të tjerë po kërkohen brenda vendit, ndërsa 7 të tjerë rezultojnë të jenë jashtë Shqipërisë. I arrestuari Musaj doli të mërkurën para Gjykatës së Posaçme, e cila vendosi të vijojë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos