Rama për protestën: Kështu vepruan lëvizjet ekstremiste në Europën e paraluftës

Nga A2 CNN
17 Qershor 2026, 12:22 | Politikë

Rama për protestën: Kështu vepruan lëvizjet ekstremiste

Kryeministri Edi Rama reagoi sërish në rrjetet sociale për protestën, duke u shprehur se “një nga mësimet e vyera të historisë është se ekstremizmi e kërkon pushtetin duke filluar me rrugën”.

“Një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut. britma zë vendin e argumentit. Rrethimi zë vendin e dialogut. Intimidimi paraqitet si aktivizëm dhe linçimi publik i tradhëtarëve si drejtësi e zotit në emër të popullit. Kështu vepruan lëvizjet ekstremiste në europën e paraluftës dhe kështu bëjnë edhe sot, duke e rritur eksponencialisht presionin mbi hapësirën demokratike falë rrugëve pa kontroll të internetit”, lexohet në postimin e kreut të qeverisë, shkruan A2.

Postimi i plotë i Edi Ramës:

Një nga mësimet e vyera të historisë është se ekstremizmi e kërkon pushtetin duke filluar me rrugën. Një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut. britma zë vendin e argumentit. Rrethimi zë vendin e dialogut. Intimidimi paraqitet si aktivizëm dhe linçimi publik i tradhëtarëve si drejtësi e zotit në emër të popullit.

Kështu vepruan lëvizjet ekstremiste në Europën e paraluftës dhe kështu bëjnë edhe sot, duke e rritur eksponencialisht presionin mbi hapësirën demokratike falë rrugëve pa kontroll të internetit.

Kush nuk mendon si turma bëhet objekt i bullizmit masiv online, i fyerjeve, kërcënimeve, linçimit publik dhe fushatave të organizuara të damkosjes. Qëllimi nuk është debati. qëllimi është heshtja. Të krijohet një klimë ku njerëzit zgjedhin të heshtin, jo sepse nuk kanë ç’të thonë, por sepse kostoja e të folurit bëhet shumë e lartë.

Historianët bien dakord se terrori i rrugës fillon me akte që duken “të vogla”, me sharje, intimidim, poshtërim publik, marshime rrugësh automobilistike dhe sulme të përzgjedhura ndaj individëve, ndërkohë që turma digjitale shumëfishon frikën dhe presionin.

Videoja më poshtë nga qendra e tiranës mbrëmë flet vetë dhe është një tjetër pasqyrë ku mund të shihet çdokush që sheh qytetari demokratike në fjalorin e kësaj proteste, që nga tribuna e sharjeve, tek koret e linçimeve dhe ulërimat e marshuesve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos