Partia Demokratike ka bojkotuar sërish seancën plenare të Kuvendit, ndërsa kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm për shkak të një agjende në Paris, ku merr pjesë në një aktivitet të vendeve që mbështesin Ukrainën.
Gjatë seancës së sotme u diskutuan disa projekt-rezoluta. Një nga çështjet kryesore ishte reforma zgjedhore, ku deputeti socialist Damian Gjiknuri deklaroi se qeveria është e gatshme të financojë votimin elektronik në Shqipëri me një fond mbi 50 milionë euro.
Sipas Gjiknurit, kjo mund të realizohet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa për zgjedhjet vendore nuk ka kohë të mjaftueshme për zbatim. Ai paralajmëroi gjithashtu kërkesën për shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore për të adresuar çështje të mbetura, përfshirë financimin e partive dhe administratën zgjedhore.
Në Kuvend foli edhe ish-kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, i cili kërkoi më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un.
"Pavarësia nuk do të thotë mungesë llogaridhënie. Sa më e madhe të jetë pavarësia, aq më e madhe është nevoja për transparencë", deklaroi Xhafaj, duke përsëritur kërkesën që Prokuroria e Posaçme të raportojë edhe në komisionin parlamentar për mbikëqyrjen institucionale.
Ndërkohë, jashtë godinës së Kuvendit nuk pati protesta apo grumbullime qytetarësh. Forcat e policisë vijuan të qëndrojnë në rrethinat e Parlamentit si masë paraprake në rast proteste.
Ndërkaq po sot ka depozituar në SPAK kallëzimin ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, për fondin prej 4.2 milionë eurosh të akorduar për koncertin e Kanye West.
Kërkesa, e firmosur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, është dërguar përmes postës dhe përmban dy akuza: shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike.
Në relacionin e kallëzimit, demokratët pretendojnë se fondi rezervë i buxhetit të shtetit është përdorur jashtë rasteve të parashikuara nga ligji, pasi sipas tyre koncerti ishte një aktivitet i planifikuar dhe nuk përbënte emergjencë. PD argumenton se vendimi për financimin ka cenuar konkurrencën e lirë dhe u ka dhënë përparësi operatorëve privatë të përfshirë në organizimin e eventit.
(A2 Televizion)