Mjeku Ermal Pashaj, i cili është njëherazi aktivist në protestën qytetare, theksoi domosdoshmërinë e ndërrimit të klasës së vjetër politike, duke u shprehur metaforikisht se edhe uji kur rri gjatë, qelbet. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN Pashaj tha se duhen zbatuar ligjet dhe të lejohen figurat profesioniste në fushat e tyre.
“Mendoj që është edhe një element kundër politikës së vjetër dhe kundër politikbërjes së vjetër. Edhe uji kur rri shumë qelbet. Ndryshimi besoj që në të gjitha resurset shqiptare ka elementë mjaftueshëm të aftë për ta shtyrë këtë punë përpara. Ky ndryshim do të sjellë një përparim. Zbatimi i ligjeve, lejimi i figurave profesioniste, që të zbatojnë në fushat e tyre ato që duhet të zbatojnë, jo nomeklatura që do duhet të komandohen në një mënyrë apo në një tjetër”, tha Pashaj.
I pyetur a do të përfaqësohen qytetarët nga një forcë e re politike që do dalë nga protesta, mjeku u përgjigj: “Kjo lloj situate mund të çojë edhe drejt maturimit të një force të re politike. Aktualisht nuk di të ketë një lëvizje të tillë akoma. Pjesa më e madhe përfaqësohen nga interesa qytetare që s’janë përmbushur. Kauza s’do bjerë për sa kohë këto interesa s’janë përmbushur”. (A2 Televizion)