
Deputetja e Partisë Socialiste Romina Kuko ka komentuar deklaratën e koleges së saj Marjana Koçeku, e cila bëri të ditur se nuk është më pjesë e Partisë Socialiste.
E ftuar në Ditarin e pasdites nga Pandi Gjata në A2CNN, Kuko u shpreh se largimi duket të ketë qenë një vendim personal i Koçekut, por theksoi se në raste të tilla duhet të ketë më shumë transparencë dhe shpjegime për publikun.
“Unë nuk e di arsyen reale, por mendoj se njeriu duhet të debatojë çështjet e brendshme dhe më pas të marrë një vendim. Me sa duket ka qenë vendim i saj,” u shpreh ajo, duke shtuar se nuk dëshiron të hyjë në kritika apo interpretime politike.
Megjithatë, Kuko theksoi se do të ishte e nevojshme që të jepen arsye të qarta për një lëvizje të tillë, duke shtuar se është kurioze të dëgjojë edhe reagimin e socialistëve të Shkodrës që kanë qenë të angazhuar në proceset elektorale.
“Do isha shumë kurioze të di çfarë mendojnë socialistët e Shkodrës që kanë punuar për fushatat dhe votat,” tha ajo, duke lënë të hapur diskutimin brenda radhëve të partisë. (A2 Televizion)