Deputeti i PD Ivi Kaso thekson se të gjithë faktorët politik, duke përfshirë opozitën, duhet të nxjerrin mësimet e tyre nga protestat e fundit qytetare para Kryeministrisë.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Kaso vuri në dukje se opozita e ka mbajtur gjallë flakën e protestës. Sipas tij opozita ka qëndruar për 13 vite përballë regjimit, duke u përballur me kushte shumë të vështira dhe me represion policor.
“Nga kjo protestë të gjithë faktorët politik duhet të nxjerrin mësimet e tyre, edhe opozita. Unë besoj personalisht që në qoftë se sot në Shqipëri arrihet akoma të protestohet, një meritë e jashtëzakonshme i shkon opozitës, që ka qëndruar përballë këtij regjimi për 13 vjet, ka protestuar në kushte shumë të vështira, ka hequr në kurriz gjithë represionin kundër protestuesve paqësorë", tha deputeti demokrat.
"Opozita ka mbajtur gjallë flakën e protestës. Ne kemi inkurajuar njerëzit të marrin pjesë në protestë, ku masiviteti është kyç. Unë nuk besoj se PD ka ndonjë shkak për të patur frikë për t’u zvogëluar. Besoj që në qoftë se protesta arrin qëllimin e saj, që është dorëheqja e kryeministrit, largimi i kësaj qeverie, krijimi i një qeverie teknike, me rregulla të reja të barabarta loje, është në favor të demokracisë dhe opozitës, pasi prej vitesh ne këtë artikulojmë. Nga kjo burojnë detyra për të gjithë faktorët shoqërorë, që janë në opozitë në një mënyrë apo tjetrën me këtë regjim, që të bëjnë ç’është e mundur, jo vetëm ta mbajnë gjallë zjarrin e protestës që kanë nisur qytetarët, por edhe t’i japin të gjithë instrumentet që të bëjë atë kapërcimin cilësor", vijoi Ivi Kaso. (A2 Televizion)