Deputeti socialist Erjo Mile u përfshi në një debat me analistin Lavdrim Lita në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ku diskutimi u fokusua te protesta qytetare, ndikimi i saj në rrjetet sociale dhe pretendimet për sulme ndaj bizneseve shqiptare në platformat online.
Mile tha se protesta u kthye në një fenomen social, duke shtuar se kishte njohur persona që merrnin pjesë për shkak të popullaritetit që kishte fituar.
“Kam pasur miq që shkonin në protestë dhe bënin ‘tag’ nga protesta për reklama të bizneseve të tyre. U bë edhe trendi të shkosh në protestë. Për mua kjo nuk është gjë e keqe, por është një realitet i ri”, u shpreh ai.
Në përgjigje të tij, politologu Afrim Krasniqi u shpreh: “Ata që dalin në protestë nuk mendoj që ka dalë njeri në protestë për të bërë fotografi, as për të bërë tag. Njerëzit kanë dalë sepse shohin që Shqipëria nuk është në kohën e duhur, në vendin e duhur, në standardin e duhur, që qeverisja e Shqipërisë nuk funksionon, që ka nivel të lartë korrupsioni, ka arrogancë, ka propotencë, ka korrupsion të lartë, ka abuzim të madh me pronën publike, me hapësirën publike dhe me asetet publike dhe një shtet privat nuk mund të kishte qasje tjetër dhe ata kanë dalë kundër konceptit të shtetit privat”
Debati u zhvendos më pas te deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Skënder Hita i cili tha sot në një konferencë për shtyp se rreth 10 mijë llogari po sulmojnë online bizneset shqiptare që operojnë në sektorin e turizmit. Mile mbrojti qëndrimin e Policisë, duke pretenduar se bizneset shqiptare po përballen me një sulm të organizuar në platformat e vlerësimit online.
“Në platformat që shërbejnë për vlerësimin dhe reklamimin e bizneseve që kryesisht janë bizneset turistike dhe Shqipëria është në kulm të sezonit turistik. Ndaj këtyre bizneseve ka ndodhur një sulm. Si ka ndodhur ky sulm? Është sulm i cili individë të caktuar hyjnë dhe përpiqen që të vlerësojnë negativisht bizneset shqiptare. Ajo është puna jote, puna e atyre dhe përgjithësisht janë familje të cilat kanë ngritur një biznes të tyre, një lokal, një hotel të vogël që ofrojnë shërbime për turistët dhe pjesa më e madhe e turistëve të huaj që vijnë, vijnë pikërisht nëpërmjet bookingut dhe nëpërmjet vlerësimeve që ndodhin në këto platforma dhe sulmi ka ndodhur pikërisht në ato platforma”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Lavdrim Lita kundërshtoi këtë interpretim, duke argumentuar se nuk ka lidhje biznesi i vogël me këtë gjë, por bëhet fjalë për biznese të mëdha që kanë sulmuar protestuesit.
“Nëse personi në fjalë etiketon protestuesit sorra e korba patjetër që do të marrë përgjigje. Perosna publikë për të sulmuar protestën normalisht që do të marrin përgjigje. Ka njerëz me fytyrë që ia thonë në sy. Nuk janë për biznese familjare. Janë për disa biznese të mëdha të cilët sulmojnë protestuesit me emër dhe mbiemër dhe janë të tmerruar që Edi Rama do iki nga pushteti dhe atyre do u ikin benefitet. Ata protestuesit që Edi Rama dhe Taulant Balla dhe shumë të tjerë i quajnë Korba dhe Sorra mblodhën 160.000 euro për të kuruar një djalë”, u shpreh Lita. (A2 Televizion)