
Departamenti Amerikan i Shtetit ka komentuar për A2CNN heqjen e “non gratës” për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime për disa përcaktime “non grata” të vendosura gjatë administratës së mëparshme, sepse dhënia e përjashtimeve i shërben një interesi bindës kombëtar”, shprehet DASH.
Lajmi i heqjes së “non gratës” ndaj Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisi të qarkullonte mëngjesin e të enjtes, ende pa nisur seanca plenare.
Si rrallëherë, kryedemokrati nuk pranoi t’u përgjigjej gazetarëve që e prisnin në oborrin e Parlamentit, por iu drejtua menjëherë sallës ku ndërkohë deputetët kishin nisur diskutimet.
Me të hyrë brenda, deputetët e tij u ngritën në këmbë duke e pritur me duartrokitje. Berisha iu drejtua menjëherë foltores, ku u tregua fjalëpakë, por mjaftueshëm sa për të konfirmuar lajmin.
Të njëjtën vetëpërmbajtje shfaqi edhe më pas, kur pranoi të ndalej me gazetarët. Disa herë u pyet nëse nga heqja e sanksioneve kanë përfituar edhe familjarët e tij, por nuk dha detaje.
Përkundër vetëpërmbajtjes së tij, në sallë demokratët nuk e frenuan entuziazmin. Socialistët u shfaqën indiferentë.
Sali Berisha u shpall “non grata” 5 vjet më parë, për korrupsion dhe minimin e demokracisë, nga atëherë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
(A2 Televizion)