
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga foltorja e Kuvendit deklaroi se "ky parlament nuk mund të trajtojë çështje tjetër përveç axhendës së qytetarëve në protestën më madhështore në historinë e këtij vendi".
Duke iu drejtuar kreut të Kuvendit, Niko Peleshi, Berisha u shpreh: "Zoti kryetar, në procesverbal keni censuruar fjali të tëra për shkak të tmerrit që keni nga fjala ime. Por ato i kanë dëgjuar qytetarët dhe nuk është qëllimi pse e marr fjalën. Qëllimi pse e marr fjalën është se gjithçka lexuat ju aty, nga e para tek e fundit, është një sfidë, është një karshillëk, është përçmim për protestën e qindra mijëra shqiptarëve të cilët kanë një axhendë ndër më të drejtën që ka pasur ndonjëherë, axhendë që u mbështet fuqimisht nga Parlamenti Evropian dje. Ky parlament nuk mund të trajtojë çështje tjetër përveç axhendës së qytetarëve në protestën më madhështore në historinë e këtij vendi".
"Ndaj dhe tërhiq rendin e ditës, t’i rikthehemi axhendës. Mendoj se ky është detyrimi absoluit i këtij parlamenti në mënyrë që të mos përfundojë edhe ky aty ku e meriton sa më shpejt", shtoi kreu demokrat. (A2 Televizion)