
Kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama për shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare në lidhje me zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Duke iu referuar amendamentit të miratuar në Parlamentin Evropian, Berisha tha se dokumenti shpreh shqetësim për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura dhe kërkon moratorium të menjëhershëm për lejet dhe ndërtimet e reja deri në përputhjen e plotë me standardet e BE-së.
Sipas tij, qeveria ka anashkaluar procedurat ligjore për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe nuk ka zhvilluar konsultime të rregullta me komunitetin dhe shoqërinë civile, siç kërkohet nga Konventa e Aarhusit.
“Parlamentit me urdhër të Edi Ramës, është shndërruar në një provokator vulgar dhe ordiner. Ka zgjedhur si rrugë të vetëm shkelmimin e rregulloreve dhe të drejtave kushtetuese të deputetëve. Por natyrisht kjo nuk pengon dot transparencën. Ndaj dhe unë jam këtu, së pari, për të lexuar para të gjithë shqiptarëve, amendamentin e votuar dje në Parlamentin Europian nga të gjitha grupet parlamentare, amendamentin 46A. Çfarë thotë?
“Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë dëshmojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që rezultojnë për zonat me vlerë ekologjike të njohur.
Ndjek nga afër protestat paqësore masive të vazhdueshme në këtë drejtim.
U bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të pajisjes me leje, punimet e ndërtimit, ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të ligjit të ndryshuar për zonat e mbrojtura.
Në bazë të një kërkese të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me kriteret për benchmark, me standardet e kapitullit 27, si dhe derisa të garantohet përputhja e plotë me standardet e Bashkimit Europian për mbrojtjen e natyrës.
Nënvizon se çdo projekt në këtë zonë duhet t'i nënshtrohet vlerësimit gjithëpërfshirës të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile”.
Pra, çfarë ndodh? Ajo që kam deklaruar para jush. Në këtë procedurë, Edi Rama në mënyrë absolute ka shkelur nen për nen ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Dhe njëherë theksoj, peizazhet e mbrojtura janë zona në të cilat në rast se vendos zhvillimin, do të bësh një vlerësim gjithëpërfshirës të duhur. Dhe në qoftë se vlerësimi gjithëpërfshirës i duhur rezulton se nuk mund t'i prekësh, nuk mund t'i prekësh.
Në rast se vlerësimi gjithëpërfshirës i duhur lejon që të avancosh më tej, je i detyruar të bësh vlerësimin e mjedisit, vlerësimin e thelluar të mjedisit, vlerësimin e habitatit, janë katër shkallë nëpër të cilat duhet të kalosh.
Asnjë prej tyre nuk ka respektuar Edi Rama. Zero!
Tjetër. Kërkon të këshillohesh me shoqërinë civile dhe komunitetin. Ka një konventë, Konventa Aarhus e firmosur nga Shqipëria, e cila detyron çdo shtet që çdo veprim që bën, të këshillohet me komunitetin.
I patë këshillat me zvarritje. Këshilla me komunitetin ishte zvarritja sikur të mos ishin njerëz”.
(A2 Televizion)