Muzeu i Artit Mesjetar, në Korçë edhe për trashëgiminë ikonografike

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
9 Korrik 2026, 13:07 | Kulturë

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një tjetër destinacion që tërheq turistët, veçanërisht ato të huajt që vizitojnë Parisin e vogël shqiptar. Ky muze ekspozon një nga koleksionet më të pasura të artit ikonografik bizantin dhe pas bizantin në vendin tonë, nga shekulli XII deri në shekullin e XX, shkruan A2 CNN. Këtu ndodhen veprat e mjeshtërve shqiptarë të ikonografisë si Onufri apo Kostandin Shpataraku.

Drejtoresha e këtij muzeu tregon interesin e të huajve që vijnë kryesisht nga Evropa Perëndimore. “Vizitorët janë të shumtë me një numër relativisht më të madh nga Franca, kryesisht, por ka edhe nga Italia, nga Gjermania, nga Spanja ka shumë vizitorë, të cilët gjithmonë e më shumë janë të interesuar për të njohur muzeun dhe koleksionin tonë muzeor”, thotë për A2 CNN Fjoralba Prifti.

“Tashmë muzeu i artit mesjetar është një destinacion i pashmangshëm. Shumë kërkojnë të vijnë enkas për të vizituar Muzeun e Artit Mesjetar dhe të njohin trashëgiminë tonë kulturore dhe koleksionin e pasur që ne kemi muzeor”.

Muzeu ka tërhequr vëmendjen edhe të një shtetasi turk me origjinë shqiptare, stërgjyshi i të cilit ka jetuar rreth një shekull më parë në Korçë.

“Më pëlqeu Korça. Stërgjyshi im, gjyshi i babait tim ka lindur në Korçë dhe gjyshja e babait tim edhe ajo ka lindur në Korçë. Rreth 100 vjet më parë kanë emigruar nga Korça në Turqi. Më pëlqen shumë muzeu, kisha”, thotë ai.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar administron mbi 8000 objekte të trashëgimisë kulturore, mes tyre mijëra ikona dhe objekte liturgjike me vlera të rralla historike dhe artistike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos