
A2 CNN mëson se punonjësi i policisë që ka humbur jetën në krye të detyrës quhet Enea Mekolli, ndërsa punonjësi i policisë që u plagos është Edison Adri, i cili po transportohet drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar është Violant Bacellari, një ish-ushtarak i shpallur prej vitesh në kërkim nga autoritetet dhe i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë. Burime për A2 CNN bëjnë me dije se ai është kapur i plagosur pas ngjarjes.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur forcat e policisë, pjesë e forcave “Shqiponja”, po zhvillonin një operacion për kapjen e Bacellarit në zonën e thellë malore të Bodës. Gjatë afrimit pranë një stani ku ai qëndronte, autori ka konstatuar lëvizjet e efektivëve dhe ka hapur zjarr në drejtim të tyre.
Si pasojë e të shtënave, Enea Mekolli humbi jetën në vend, ndërsa Edison Adri mbeti i plagosur.
(A2 Televizion)