Rama publikon mesazhin e një vlonjati: Armiqtë e Shqipërisë duan ta mbajnë Zvërnecin të ndotur dhe të pazhvilluar

Nga A2 CNN
4 Qershor 2026, 08:40 | Aktualitet

Rama publikon mesazhin e një vlonjati: Armiqtë e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për projektin e investimit në Zvërnec, duke publikuar një mesazh dhe video të dërguar nga një qytetar vlonjat, i cili shprehet në mbështetje të projektit 4 miliardë eurosh që qeveria synon të realizojë në këtë zonë.

Në postimin e tij, Rama akuzon kundërshtarët e projektit se po përpiqen të pengojnë zhvillimin e turizmit dhe integrimin europian të vendit. Teksa e cilëson videon si një pasqyrë të realitetit të trishtë të zonës, kreu i qeverisë apelon edhe ndaj njerëzve të tij.

“Mirëmëngjes dhe me këtë mesazh të nxjerrë nga telefoni im bashkë me videon e mëposhtme (pasqyrë e qartë e realitetit të trishtë të parajsës që armiqtë e Shqipërisë Europiane, konkurrentët e Shqipërisë Turistike dhe të verbrit e “Shqipërisë së shqiptarëve” duan ta mbajnë të gjithë bashkë tamam kështu si është sot - siç do ta shihni vetë - tokë të ndotur e të paprekur nga tradhtia ime, që dua të sjell një investim 4 miliardë në funksion të një projekti që e kthen Vlorën në beben e syrit të turizmit në këtë anë të botës, ndërsa Shqipërinë e ngjit në Ligën e Kampionëve të turizmit botëror), duke shpresuar që tanimë t’ju jetë pastruar gjaku nga helmi i luftës hibride online atyre të mive, që u dëshpëruan prej një rreziku imagjinar, ju uroj të gjithëve ju një ditë të mbarë”, shkruan Rama, përcjell A2 CNN.

Rama publikon mesazhin e një vlonjati: Armiqtë e Shqipërisë

Në mesazhin e publikuar nga kryeministri, qytetari pretendon se zona e mbrojtur është degraduar nga ndotja dhe mungesa e kujdesit, ndërsa shprehet se investimi do të sillte zhvillim ekonomik dhe turistik për Vlorën. Sipas tij, kundërshtimi ndaj projektit nuk lidhet me mbrojtjen e natyrës, por me kundërshtitë politike ndaj kryeministrit.

“Përshëndetje Kryeministër! Jam Vlonjat dhe pro investimit ne Zvërnec. Mos ndalo. Po të nis një video dhe të lutem postoje. Behet fjale fiks për zonën ku njerëz të papërgjegjshëm qe dhe ndoshta janë ngritur në protestë e kanë katandisur zonën e mbrojtur si mos me keq. Kurse ata që erdhën për sherr dihet që e kane me ty jo me natyrën se po ta kishin për natyrën duhet të shanin pse është bërë hale jo pse do të hedhësh 4 miliardë që s’janë hedhur tërë historinë në anët tona. Shihe videon dhe nëse do, mund të të nis dhe video të tjera të zonave ku mbrohen me ligj po nuk mbrohen dot nga njerëzit e liq pa tru që sa me shumë plehra hedhin poshtë aq me tepër çirren me zërin lart. Të falënderoj nëse e merr në konsideratë këtë video dhe tregoja Shqipërisë se duan të sabotojnë zhvillimin që e shëron këtë zonë. Bëje këtë zhvillim e vlonjatët do të të bekojnë në breza. Këta jo nuk e duan Shqipërinë aq sa thonë po e duan edhe pa të huaj që ta kthejnë si Vlora para se ta merrje ti në dorë. Po të nis videon”, i shkruan qytetari Ramës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos