
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën “X” pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetër efektivi gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar, në Lozhan të Maliqit.
Kreu i qeverisë kërkoi “ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit”, shkruan A2.
Postimi i plotë i Edi Ramës:
Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli! Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër. Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj (A2 Televizion)