Pas përfundimit të konkursit për drejtuesit e qarqeve, kryepolici Skënder Hita ka firmosur ndryshime të rëndësishme në polici.
Hita ka emëruar drejtues të rinj në disa drejtori vendore dhe komisariate, shkruan A2.
Ardrit Elmazi është emëruar drejtor i Policisë së Kukësit. Dashamir Spaho merr drejtimin e Policisë së Shkodrës, ndërsa Xhevahir Karaj emërohet drejtor i Policisë në Dibër, post që mbahej më parë nga Armir Gjikolaj, i cili është emëruar drejtor i Qendrës së Mbyllur të të Huajve.
Ndryshimet kanë prekur edhe strukturat e tjera të Policisë së Shtetit. Idris Daulle, nga Komisariati nr. 5 është emëruar zv/drejtor për Sigurinë Publike në Policinë e Durrësit. Oficeri i karrierës Klodjan Çeka është emëruar shef i Komisariatit të Malësisë së Madhe. Kryekomisar Sokol Myrto është emëruar shef i Komisariatit të Mirditës.
Këto ndryshime konsiderohen nga kupola drejtuese si pjesë e riorganizimit të strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit.
Në valën e krimeve dhe ndryshimeve, ish-drejtuesi i Policisë Fatjon Softa shprehet se nuk janë shpërqëndruese për punën e policisë pasi duhen edhe ndryshime për ta përforcuar.
Në 3 muaj e gjysmë në krye të Policisë së Shetit, Hita ka ndryshuar 9 nga 12 drejtuesit e qarqeve, ku mbeten ende drejtuesit e njëjtë të emëruar nga ish kryepolici Proda, në qarqet, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër. (A2 Televizion)