Gati dy vite e gjysmë nga dhënia e “dritës jeshile” në Parlament, bastet sportive do të rihapen, zyrtarisht. Tashmë janë miratuar edhe të gjitha aktet nënligjore për t’i hapur rrugën më tej licensimit të kompanive.
“Ligji 155/2015 “Për lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, me miratimet e fundit është plotësuar me aktet nënligjore për sa i përket kategorisë së lojës “Baste Sportive online”.
Janë 8 akte nënligjore, VKM dhe Udhëzime që kanë vulën përfundimtare. Dy aktet u miratuan më 26 qershor, ku caktohen procedurat dhe afatet për pezullimin apo revokimin e licencës së lojërave të fatit “basteve sportive online”, si dhe vendimi për administrimin e fondit te posaçëm të krijuar nga veprimtaritë e lojërave të fatit.
“Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Komisioni i Licencave dhe sekretariati teknik pranë tij organizojnë procedurat konkurruese dhe vlerësuese sipas detyrave përkatëse, të përcaktuara me ligj dhe në këtë vendim.”
Rihapja e basteve sportive online vjen gati 7 vite pasi aksioni ‘Fundi i Marrëzisë’ që nisi më 1 janari 2019, prej të cilit u mbyllën 4.214 pika bastesh në vend. Ligji në fuqi parashikon dhënien e 10 licencave, por ende nuk ka një afat se kur do të hapen thirrjet për të aplikuar.
“Komisioni i licencave merr vendim për hapjen e një procedure konkurruese dhe numrin e licencave që do të jepen në thirrje. Brenda 7ditëve nga marrja e vendimit për hapjen e procedurës konkurruese nga Komisioni I Licencave, AMLF publikon njoftimin për konkurrim për dhënien e licencës për ofrimin e “Basteve Sportive online” në faqen zyrtare të internetit, në dy gazeta ndërkombëtare, si dhe ne Buletinin e Njoftimeve Publike”.
Vonesën me më shumë se 2 vite për plotësimin e ligjit me aktet nënligjore për ta bërë atë të zbatueshëm, më herët Ministria e Financave e pati sqaruar me argumentin se bëhej fjalë për një proces me kompleksitet të lartë teknik dhe institucional, të cilat kërkonin cikle të zgjeruara konsultimesh dhe verifikimesh, për shkak edhe të sistemeve të reja që duhet të ngriheshin.
(A2 Televizion)