Nga ligji te zbatimi, dëftesat tregtare si garanci për kredi, por financimi mbetet sfidë

Nga Mario Brakaj
16 Korrik 2026, 19:16 | Ekonomi

Bankat u dhanë bujqve shqiptarë vetëm 2.6 miliardë lekë kredi vitin e shkuar. Në raport me 2024-n, huaja për sektorin më të madh të ekonomisë u pakësua me 100 milionë lekë apo 3.7 për qind. Pavarësisht miratimit të projektligjit “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, ekspertët vlerësojnë se sektori do të vijojë të jetë i nënfinancuar.

Ilir Pilku, ekspert i sektorit bujqësor, shprehet:  “Pyetja që ngrihet është kjo: A është sistemi bankar në Shqipëri aq i zhvilluar në drejtim të kreditimit të sektorit bujqësor aq sa të pranojë këtë lloj sistemi. Shifrat tregojnë që jo.”

Kjo në një kohë që në fuqi ishte edhe skema e Garancisë Sovrane.  Linja e financimit me garanci sovrane dhe kredi me interes deri në 2 për qind nuk shkoi deri tek fermerët, pasi kjo kategori nuk plotësoi kriteret. e njëjta pritet të ndodhë edhe me “dëftetsat tregatre” e cila lejon të lihen si garanci faturat e shitjes por që nuk pritet të kenë ndonjë ndikim të madh te fermerët.

 “Me një fjalë shumë të shkurtër, me një shpjegim shumë të shkurtër, në gjuhën angleze kjo quhet “warehouse receipt” që në shqip do të ishte “faturë magazinimi.” Projektligji është hartuar nga IFC, pjesë e Bankës Botërore dhe në disa vende të tjera ka funksionuar”, shprehet Pilku.

Zbatimi i kësaj nisme për ekspertë të sektorit bujqësor bëhet edhe më i vështirë për shkak të tipologjisë së fermerit shqiptar që vjen pas ndarjes së tokës pas vitit 1991. “Kjo për shkak të fragmentimit të lartë të tokës bujqësore. Gjithashtu fermerët tanë janë shumë të vegjël”, thotë eksperti.

Baza e re ligjore saktëson ndërkohë se fermeri është ai që mban përgjegjësi për cilësinë e produkteve të kultivuara, dhe në rastet kur nuk arrihet që të shlyhet detyrimi pasi ka mungesë produktesh të kultivuara, fermeri duhet ta zëvendësojë produktin bujqësor me një kolateral tjetër me të njëjtën vlerë të mbetur. Kur nuk plotësohet as ky kusht mbahen si garanci të korrat e sezonit pasues. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos