Nga pagat e pensionet te ndihma ekonomike apo bursat... çdo gjë që blejmë e shesim në të përditshme, së afërmi do ta bëjmë me euro. Pas një shekulli, Shqipëria po përgatitet t’i thotë “lamtumirë” lekut për të “përqafuar” euron si monedhën kombëtare. madje Ministria e Financave ka publikuar projektligjin për të cilin shtron rrugën për kapërcimin.
“Nga data e prezantimit të EURO-s si monedhë e Republikës së Shqipërisë, Banka e Shqipërisë do të kryejë detyrat e saj të politikës monetare në përputhje me Traktatin mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian, Statutin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe të Bankës Qendrore Evropiane, si dhe aktet e Bankës Qendrore Evropiane dhe rregulloret e Bashkimit Evropian.”
Megjithatë, miratimi i ndryshimit të ligjit mbi Bankën e Shqipërisë nuk do të thotë se Shqipëria do ta adoptojë euron menjëherë. Eksperienca ka treguan se kalimi nga monedha kombëtare drejt euros për shtetet anëtare të “unionit” ka ndodhur nga 2 deri në 10 vite pas anëtarësimit dhe pas testimit të stabilitetit të monedhave.
“Njësia monetare në Republikën e Shqipërisë do të jetë “Euro”. Banka e Shqipërisë do të fusë në qarkullim kartëmonedhat dhe monedhat Euro dhe do t’i tërheqë ato nga qarkullimi në përputhje me Traktatin mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian, Statutin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe të Bankës Qendrore Evropiane, aktet e Bankës Qendrore Evropiane dhe rregulloret e Bashkimit Evropian.”
Projektligji sjell një reformë të gjerë të kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë me qëllim siç thuhet në relacion forcimin e pavarësisë institucionale.
“Projektligji merr parasysh edhe dispozitat e Statutit të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe që lidhen me pavarësinë institucionale, funksionale, personale dhe financiare, operacionet e politikës monetare, administrimin e rezervave valutore, sistemet e pagesave, emetimin e monedhës dhe raportimin financiar, në masën që këto dispozita janë të zbatueshme për një bankë qendrore kombëtare të një shteti kandidat dhe do të bëhen plotësisht të zbatueshme në fazat përkatëse të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe adoptimit të euro.”
Reforma zgjeron gjithashtu kompetencat e Bankës në mbikëqyrjen e institucioneve financiare, duke i dhënë të drejtën të kryejë inspektime më të plota, të kërkojë informacion shtesë dhe të vendosë masa administrative për subjektet e mbikëqyrura. (A2 Televizion)