Dy vajza të vogla kanë zgjedhur ta kalojnë verën ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre. Në vend të lojërave apo orëve të gjata në telefon, Ajla dhe Bora kanë ngritur një stendë në pallatin ku banojnë, ku shesin limonadë dhe produkte të përgatitura prej tyre, me një mision të veçantë; të ndihmojnë një shok të lagjes me aftësi të kufizuara dhe vështirësi ekonomike.
Gazetarja e Dita Jonë në A2 CNN, Adelina Onuzi, bisedoi më shumë me to, të cilat i treguan në detaje për këtë biznes të tyre.
"Neve po mundohemi të shesim sa më shumë limonada dhe produkte që kemi këtu që të ndihmojmë atë shokun. Lekët që fitojmë ia japim atij, sepse ai nuk mund të bëjë shumë gjëra që ne mundemi. Neve na i bëjmë prindërit. Ai nuk shkon dot te lodrat. Ne shkojmë kështu që neve po e ndihmojmë atë që të ketë më shumë ushqime, të ketë më shumë ndihmë. Kështu po e ndihmojmë kështu si duke punuar si shoqe", tregojnë vajzat.
Biznesi i tyre është menduar deri në detaje. Ato kanë përgatitur receta të ndryshme limonade, kupona me ulje për klientët besnikë, madje edhe një lojë me surpriza për blerësit. Çdo produkt është përgatitur me ndihmën e familjarëve, ndërsa të ardhurat shkojnë për shokun e tyre.
Pak ditë më parë, ato arritën t'i dorëzonin 2 mijë deri në 3 mijë lekë, një gjest që emocionoi familjen e djalit.
"U gëzua shumë. Nuk flet dot, por bëmë një foto bashkë. Edhe familja e tij na falënderoi", tregojnë ato.
Edhe pse përballen me vapën e verës dhe shpenzimet për të mbajtur stendën, vajzat thonë se nuk kanë ndërmend të ndalen. Synimi i tyre është ta zgjerojnë biznesin në një zonë më të frekuentuar, të shtojnë produkte të reja dhe të ndihmojnë edhe njerëz të tjerë në nevojë.
Ndërsa mesazhi i tyre për bashkëmoshatarët është:"Ndihmoni njerëzit në nevojë dhe që janë me aftësi të kufizuara. Ndihmoni të tjerët, zhvilloni inteligjencën dhe mos rrini shumë në telefon, sepse duke zhvilluar inteligjencën tuaj, kur të rriteni ju hapni një biznes, bëni ndonjë gjë, por mesazhi im që është më i rëndësishmi është që ju duhet të ndihmoni njerëzit në nevojë ose që s'kanë lekë, sepse ato janë gjynah. Ti i ke mundësitë, po ai nuk mund t'i ketë. Pse mos t'i ketë edhe ai?”
(A2 Televizion)