Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë, me ftesë të Presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki, në ceremoninë përkujtimore të 70-vjetorit të Kryengritjes së Poznańit të vitit 1956, një nga ngjarjet e rëndësishme të rezistencës kundër regjimit komunist në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Gjatë ceremonisë, krerët e shteteve të pranishëm miratuan një deklaratë të përbashkët, ku riafirmuan angazhimin për ruajtjen e kujtesës historike, mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe të drejtës së kombeve për vetëvendosje.
Në margjinat e aktivitetit, Begaj zhvilloi një takim me Presidentin e Polonisë, Karol Nawrocki. Gjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, shkruan A2CNN.
Presidenti Begaj falënderoi Poloninë për mbështetjen ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, përfshirë shkëmbimin e ekspertizës në kuadër të përafrimit me legjislacionin e BE-së.
Nga ana e tij, Presidenti Nawrocki rikonfirmoi mbështetjen e Polonisë për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe shprehu gatishmërinë për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. (A2 Televizion)