
"Duhet të jeni garantorë të zbatimit të ligjit, standardet e BE nuk arrihen vetëm me miratim ligjesh". Këtë apel iu përcolli ambasadori i BE-së në vendin tonë Silvio Gonzato, magjistratëve të rinj që sot diplomohen.
Në fjalën e tij gjatë Konferencës Kombëtare të Ndërveprimit të Drejtësisë me Mediat, Gonzato vlerësoi rolin e Shkollës së Magjistraturës dhe shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Ai theksoi se profesioni i gjyqtarit dhe prokurorit është një shërbim publik me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në besimin që ata kanë te drejtësia.
"Çdo vendim që ju do të merrni do të ndikojë në jetën e qytetarëve. Ai do të përcaktojë edhe besimin që ata do të kenë te sistemi i drejtësisë, i cili është themelor në kontratën sociale", u shpreh Gonzato.
Sipas ambasadorit të BE-së, ushtrimi i këtij profesioni kërkon integritet, ndershmëri, guxim dhe përulësi, duke pranuar se jo gjithmonë gjykimi i parë është domosdoshmërisht i duhuri.
"Arritja e standardeve evropiane nuk bëhet vetëm me miratimin e ligjeve, por edhe përmes punës së përditshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse ju do të jeni ata që do të siguroheni që ligji të zbatohet. Të arrish standardet europiane nuk bëhet vetëm me ligje por duhet jeni ju ata që do të jeni garantorët e zbatimit të ligjit me sjelljen dhe vendimet që do të merrni. Mendoj që është e rëndësishme të qëndroni mendje hapur dhe kureshtarë, që të mësoni, të ndani eksperienca jo vetëm me shqiptarë por edhe evropian. Shtëpia juaj do jetë pika e referencës nga ku do mësoni por duhet të jeni të hapur ndaj informacioneve nga kolegët europianë".
Gonzato nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me kolegët evropianë dhe shkëmbimit të përvojave. Sipas tij, institucionet nuk ndërtohen vetëm mbi bazën e ligjeve dhe rregulloreve, por kërkojnë edhe një ndryshim të kulturës dhe mendësisë.
“Institucionet, në vetvete, nuk krijohen vetëm nga ligjet dhe rregulloret. Ato kërkojnë edhe ndryshim kulture dhe mendësie. Unë ende nuk jam i bindur se ky ndryshim mendësie është arritur. Është në dorën tuaj. Jeni ju brezi i ri që duhet të përmbushni këto pritshmëri, duke siguruar që drejtësia të ofrohet në kohë dhe me cilësi. Ne, në Bashkimin Evropian, do të vazhdojmë të mbështesim Shkollën e Magjistraturës dhe të gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri”. (A2 Televizion)