Lulufest në Korçë, muzikë frymore me mbi 200 instrumentistë nga vendet fqinje

Nga Artin Halili
18 Korrik 2026, 13:26 | Sociale

Festivali solli në qytet muzikantë nga Shqipëria, Italia, Mali i Zi, Greqia dhe Maqedonia e Veriut, duke e kthyer Korçën në një skenë të madhe të muzikës frymore.

Përgjatë dy ditëve zhvillohen parada festive në Bulevardin “Republika”, koncerte në zonën këmbësore dhe në Pazarin e Vjetër, si edhe workshop-e artistike, duke i dhënë qytetit një atmosferë të veçantë kulturore, shkruan A2CNN. 

Edhe këtë vit, sipas drejtorit të festivalit, Ilir Kodhima, festivali ka arritur të sjellë në qytetin më të madh të juglindjes artdashës të shumtë.

 “Qyteti i Korçës e ka sjellë i pari muzikën e tunxhit. Ky është identiteti ynë. Çdo vit vijnë artistë të rinj që vizitojnë Korçën. Këta artistë përçojnë edhe në qytetet nga vijnë një lloj reklame për vendin tonë. Bashkëpunimi midis trupave artistike është shumë i rëndësishëm. Vijnë rreth 200 artistë nga Greqia, Italia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Instrumentistët italianë Nicola Di Cerbo dhe Giuseppe Bocci thanë se “LuluFest” është edhe për ta një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës frymore.

 “Është hera e parë në Korçë, por kam qenë në Tiranë para 4 vitesh. Ndihemi si në shtëpi, jeni të mrekullueshëm, keni zemrën si italianët. Është një eksperiencë fantastike, një mundësi mësimi për artistët e rinj dhe një përvojë e vlefshme edhe për ata më të vjetrit.”

“Vij nga Ascoli. Na pëlqen muzika shqiptare, kemi luajtur edhe më parë dhe jemi të lumtur që jemi në Korçë për të sjellë repertorin tonë të përbashkët. Bravo për këtë organizim.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos