
Një projekt me rëndësi të veçantë për qytetin, e ka cilësuar kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, projektin TID (Transformational Integrated Development – Zhvillim Transformues i Integruar). Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të këtij qyteti, Sako bëri të ditur se, pas takimit me lryeministrin, është kryer një rishikim i objekteve për vlerat e tyre historike në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës.
“Është një projekt shumë i rëndësishëm për qytetin. Pas takimit me kryeministrin, është bërë rishikimi i objekteve për vlerën e tyre historike, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve dhe së dyti, është bërë një kërkesë që blerja e apartamenteve për ta, të bëhet brenda qytetit”, u shpreh Sako.
Kryebashkiakja pranoi gjithashtu se vlerësimi financiar i objekteve nuk përputhet me çmimet aktuale të tregut, duke e bërë të vështirë që banorët të riblejnë një banesë në zonën A të qytetit me shumën e përfituar nga kompensimi.
Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak, Sako foli edhe për problematikën e rrëshqitjeve të tokës në zonën e Currilave. Ajo theksoi se rehabilitimi i plotë i kësaj zone është i pamundur të përballohet nga buxheti i Bashkisë së Durrësit, për shkak të kostove shumë të larta që kërkon ndërhyrja. (A2 Televizion)