Ish-deputeti i PD Kreshnik Çollaku vlerësoi se protesta qytetare mund të shërbejë si instrument për të imponuar ndryshime të rëndësishme politike, përmes reformimit të Kodit Zgjedhor, ndryshimeve kushtetuese dhe forcimit të institucioneve të Republikës.
Sipas ish-deputetit demokrat, duhet të diskutohet edhe mundësia që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, në mënyrë që të ketë më shumë autoritet dhe pavarësi për të balancuar pushtetin e qeverisë.
Sipas tij Shqipëria nuk ka President, por një person që merr rrogën e kreut të shtetit. Duke krahasuar proceset zgjedhore në Shqipëri me ato në Kosovë, Çollaku tha në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Çollaku se Tirana është shumë larg nivelit të Prishtinës.
“Protesta kërkon ndryshime të sistemit politik. Problematika më e madhe që ka sistemi politik në Shqipëri është që nuk ka zgjedhje. Nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Vota shitet, blihet, intimidohet, joshet, deformohet. Po e thotë një njeri që sapo ka ardhur nga zgjedhjet në Kosovë. As në 10 për qind të nivelit të Kosovës nuk është Shqipëria. A ka mundësi protesta ta imponojë një sistem të ri, të garantuar, të besueshëm nga të gjitha palët? Po ka. Duke kërkuar çfarë? Kod Zgjedhor, ndryshime kushtetuese, efektin e 2008, duke kërkuar që Republika të ketë institucione që funksionojnë. Debati në Kosovë është që Presidenti i dobët, apo i fortë, këtu s’ka President. Ka një njeri që merr rrogën si President, por s’ka rol Presidenti. S’mund të heshtë Presidenti kur ka një muaj që është plot Tirana dhe ka kontestim. Duhet parë edhe momenti i Presidentit, mbase duhet të zgjidhet nga populli, për të pasur fuqi për t’i thënë stop një qeverie”, u shpreh ai.
(A2 Televizion)